Arsim & Kulturë

Kolegji AAB dhe MFSK nënshkruan memorandum bashkëpunimi

Në vazhdën e marrëveshjeve të bashkëpunimit të cilat Kolegji AAB është duke nënshkruar me institucione të rëndësishme, sot u nënshkrua memorandum bashkëpunimi edhe me Ministrinë për Forcën e Sigurisë Kosovës (MFSK).

Të dy institucionet, nëpërmjet kësaj marrëveshje të nënshkruar nga rektori i Kolegjit AAB, z. Lulzim Tafa dhe sekretarit të MFSK-së, z. Shkelzen Sylaj, pajtohen që në të ardhmen të bashkëpunojnë në nisma të ndryshme për promovimin e arsimit cilësor nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta.

Me këtë rast, rektori Tafa e falënderoi sekretari i MFSK-së, z. Shkelzen Sylaj për gatishmërinë e nënshkrimit të këtij memorandumi të bashkëpunimit, duke thënë se ky institucion do të angazhohet me të gjitha kapacitetet që ka që kjo marrëveshje të gjejë implementim sa më të suksesshëm.

Në anën tjetër, sekretari i MFSK-së, z. Shkelzen Sylaj e falënderoi rektorin Tafa për gatishmërinë për bashkëpunim, njëherësh edhe e përgëzoi për arritjet e deri tashme të Kolegjit AAB, për të cilin institucion tha se pa dyshim se tani është lider në fushën e arsimit jo publik në vend.

Ai në këtë takim me rektorin Tafa foli edhe për proceset nëpër të cilat është duke kaluar FSK drejt shndërrimit të saj në ushtri të Kosovës.

Me këtë memorandum bashkëpunimi, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të ofrojë personelin e sajë të specializuar në fushën e Deminimit, me qëllim të ofrimit të ligjëratave për vetëdijesimin nga mjetet e pa shpërthyera (minat), për studentët e Kolegjit AAB, sipas nevojës.

AAB me këtë marrëveshje, do të mbështesë në vazhdimësi Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) në ngritjen e kapaciteteve profesionale të personelit të saj, me programet e saj arsimore në të gjitha nivelet.

Vlen të përmendet se Kolegji AAB si investimi më i madh në Kosovë e më gjerë në sferën e arsimit të lartë jopublik, deri më tani ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me shumë institucione vendore dhe ndërkombëtare, ku studentët e këtij kolegji në vazhdimësi kryejnë praktikat profesionale nëpër këto institucione.

the authorE B