Kolegji AAB, model edhe për universitetet e tjera jashtë Kosovës

Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, ka thënë se si kolegji më i madh, i pari nga sektori jopublik në Kosovë, i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik 2016-2017.

Tafa ka thënë se sivjet për herë të parë në Kolegjin AAB do të jetë edhe Programi i Infermierisë së Përgjithshme, në të cilin program do të ketë të angazhuar staf vendor dhe ndërkombëtar. “Risia kryesore për sivjet, krahas edhe një programi të arteve, është Programi i Infermierisë së Përgjithshme, i cili sivjet nis për herë të parë. Ne kemi angazhuar një staf kompetent vendor dhe ndërkombëtar të fushës së infermierisë, gjithashtu jemi pajisur edhe me laborator dhe pajisje të tjera të fjalës së fundit të fushës së infermierisë”, është shprehur Tafa në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”.

Rektori Tafa ka treguar se numri i studentëve të cilët do të pranohen këtë vit në këtë kolegj do të jetë i kufizuar.

“Sivjet ka një risi në vendimet e Agjencisë së Akreditimit. Vendimet përmbajnë edhe kuotat e pranimit. Ne jemi duke i analizuar ato kuota dhe kapacitetet e tona, por numri i studentëve do të jetë i kufizuar”, ka deklaruar Tafa.

Ai ka bërë me dije se Kolegji AAB ka shtuar kapacitete infrastrukturore dhe resurset humane. “Sivjet ne kemi inauguruar edhe objektin e ri, që ne në ‘AAB’, e quajmë objekti 5, që ka një hapësirë mbi 15 000 metrash katrorë. Pra, është një objekt ultra modern”, është shprehur rektori Tafa.

Në këtë intervistë rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, ka folur dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar që ka ky kolegj me institucionet ndërkombëtare për shkëmbimin e studentëve dhe të stafit akademik.
“Ne kemi një bashkëpunim të mirëfilltë me shumë universitete të njohura ndërkombëtare, me disa prej të cilave në të kaluarën kemi pasur edhe diploma të dyfishta, por bashkëpunime kemi edhe në fushën e mobilitetit të studentëve dhe shkëmbimit të stafit akademik. Kemi bashkëpunim edhe në fushën e botimeve të përbashkëta, por edhe në fusha të tjera. Madje jemi të vetmit që jemi anëtarë të ‘Magna Karta Universitatum’”, ka thënë Tafa.