Arsim & Kulturë

Kolegji AAB nderon nobelistin Ernesto Kahan dhe studiuesin Uran Butka me titullin “Doctor Honoris Causa”

Me një ceremoni solemne, sot Kolegji AAB nderoi me titullin “Doctor Honoris Causa” nobelistin Ernesto Kahan nga Argjentina dhe studiuesin Uran Butka nga Shqipëria.

Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa u shpreh se laureimi i këtyre dy personaliteteve të shquar na bënë nderë edhe ne si universitet dhe shtoi se çmimi “Doctor Honoris Causa” ndahet në raste të rralla dhe të veçanta.

“AAB sot është institucioni më i madh universitar në gjithë rajonin tonë nga sektori jopublik, me rreth 20.000 studentë me mbi 700 profesorë, që organizon mësim në tri gjuhë dhe në 35 programe të akredituara. Në bazë të dispozitave të statutit tonë titulli “Doctor Honoris Causa” është titulli më i lartë nderi që jep ky institucion, e që ne e japim në raste tepër të rralla dhe të veçanta”, u shpreh rektori Tafa.

Rektori Tafa shtoi se AAB-ja gjithmonë është përkujdesur për të nderuar personalitetet e shquara dhe nuk është rasti i vetëm ky sot që u nda çmimi “Doctor Honoris Causa” , pasi që nga themelimi i AAB-së janë nderuar me këtë çmim edhe tri personalitete të shquara: presidentin e Kroacisë z.Stjepan Mesiq, pastaj presidentin e Republikës së Hundorasit,vetëm pak ditë pasi që ky vend e njohu pavarësinë e Kosovës dhe dekanin e korit diplomatik të akredituar në vendin tonë, ambasadorin e Holandës z.Robert Bosh.

Ndërsa prorektorja për Bashkëpunim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Venera Llunji, në cilësinë e laudatores së z. Ernesto Kahan, tha se si pasojë e punës së tij dhe kontributit tij të pandalur, Senati i Kolegjit ka vendosur që titullin Doctor Honoris Causa për merita të veçanta në letërsi dhe humanizëm mbarëbotëror, t’ia ndajë Ernesto Kahan.

Ndërsa, prof. Ekrem Kryeziu, laudatori i çmimit “Doctor Honoris Causa”, për historianin dhe shkrimtarin, z.Uran Butka tha se Butka ishte një historian i pashoq dhe një veprimtar shqiptar që ka pasur një jetë që ia ka kushtuar veprës. Një njeri i pasionuar i cili në jetën e tij ka luftuar që të lërë shenjë në mbarë njerëzimin.

Pas ndarjes së çmimit, nobelisti i njohur Ernesto Kahan u shpreh i nderuar dhe falenderoi Kolegjin AAB për këtë çmim si dhe shtoi se duhet të ketë më shumë bashkëpunime ndërmjet shtetit të Argjentinës dhe të Kosovës në fushën e kulturës dhe letërsisë.

“Unë do të shkruaj për universitetin tuaj, Spanja di për juve, ajo duhet të ju njoh dhe mund të bëjmë diçka që të promovojmë kulturën, shkencën mes Kosovës, Spanjës dhe Izraelit”, u shpreh Kahan.

Ndërsa studiuesi i njohur Uran Butka pasi që mori titullin nga rektori i Kolegjit AAB u shpreh se ndihet i emocionuar pasi që nuk u nderua vetëm ai por edhe puna e tij me këtë çmim.

“Ju faleminderit nga zemra për akordimin e çmimit “Doctor Honoris Causa” dhe nga Kolegji juaj që është një vlerësi për veprimtarinë time, aq më tepër që ky institucion ka lindur dhe funksionon në Kosovë”, u shpreh studiuesi Butka.

Vlen të theksohet se të nderuarit e sotëm për titullin “Doctor Honoris Causa”, Ernesto Kahan është një ndër personalitetet e shquara botërore që jetën e tij e ka vënë në shërbim të shkencës, letërsisë e artit dhe mbi të gjitha në shërbim të paqes si dhe në vitin 1985 u nderua me çmimin Nobel për paqe, ndërsa i nderuari tjetër, studiuesi Uran Butka, është shkrimtar, studiues disident, intelektual si dhe veprat e Butkës janë të një rëndësie të madhe për historinë dhe letërsinë shqipe./GazetaKNN/