Arsim & Kulturë

Kolegji AAB po përgatitet për të mirërpritur 100 çika nga Amerika e Ballkani në kampin ndërkombëtar “WiSci Girls STEAM Camp”

Kolegji AAB do të jetë nikoqir i WiSci Girls STEAM Camp #wiscikosovo, i cili do të mbahet nga data 18-29 gusht 2019. Pjesëmarrëse në këtë kamp do të jenë 100 çika nga ShBA, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi e Serbia, të moshës 15 deri në 18 vjeçare, të cilat do të bashkohen me liderë të teknologjisë për të mësuar shkencë, teknologji, art, dizajn dhe lidership.

WiSci Camp është mundësuar përmes një partneriteti publik-privat, me shumë partnerë nga e gjithë bota, duke përfshirë Departamentin Amerikan të Shtetit, Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit, Girl Up, dhe partnerë të sektorit privat si Intel dhe Google, NASA, Shoqëria Amerikane për Mikrobiologji, Microsoft, e të tjerë.

Kampi i Vajzave WiSci STEAM është një mundësi e mirë e cila ka për qëllim përfshirjen e vajzave të shkollave të mesme nga e gjithë bota në shkencë, teknologji, inxhinieri, arte dhe dizajn e matematikë (STEAM).

Në raport gjinor, ekziston një dallim i thellë në fushat e STEM në mes meshkujve dhe grave edhe atë në nivel global, andaj Kampi WiSci synon të ndihmojë në tejkalimin e këtij hendeku përmes qasjes në arsim, mundësive të mentorimit dhe trajnimit të udhëheqjes.

Gjatë vitit 2019 janë planifikuar të mbahen 5 kampe për vajzat (WiSci Camps), ku përveç Kosovës, kampet tjera mbahen në Namibi, Etiopi, Estoni dhe në Oregon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.