Arsim & Kulturë

Kolegji AAB shënoi Ditën Ndërkombëtare të Shëndetësisë

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shëndetësisë, Fakulteti i Infermierisë i Kolegjit AAB mbajti tryezë informuese ku u diskutua për edukimin shëndetësor në Kosovë, por edhe në botë.

Me këtë rast, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, z.Bujar Gashi, duke folur për nivelet e organizimit të shëndetësisë tha se: “Kujdesi parësor shëndetësor nuk ofron vetëm shërbime në institucionet e sotme, por merr pjesë edhe në vizitat sistematike të cilat janë duke ndodhur.

Faza e parë e vizitave sistematike nëpër shkollat e Prishtinës ka përfunduar, ndërsa sot ka filluar faza e dytë e vizitave sistematike në shkolla dhe duke plotësuar kështu një pjesë të programit të përvitshëm që ndodh në kryeqytet”, u shpreh Gashi.

Ndërsa, Genc Ymerhalili, ekspert i shëndetësisë, theksoi se në Kosovë kanë filluar vizitat shtëpiake, që të jenë në ndihmë për nënat dhe fëmijët.

“Një element shumë i rëndësishëm, i cili edhe ka filluar të zbatohet dhe të realizohet në formën konceptuale janë vizitat shtëpiake, jo vizita shtëpiake të shërbimit emergjent, por vizita shtëpiake që kanë të bëjnë me objektiva, si p.sh. shërbimi i nënës dhe fëmijës, e cila është detyrë e ekipeve të mjekësisë familjare, e që ka për qëllim përcjelljen e shëndetit të nënës dhe fëmijës”, tha Genc Ymerhalili.

Gjatë kësaj tryeze u bë thirrje edhe për promovimin e jetesës së shëndetshme si në nivel individual ashtu edhe në atë shoqërorë.

the authorBurbuqe Metolli