Kolegji “Hasan Prishtina”

Shkruan: Lulzim Tafa

Kërkoj që askush të mos befasohet nga ky titull, as për jokoherencën e titullit me tekstin e këtij shkrimi, as me emërtimin Kolegji “Hasan Prishtina”. Unë e di që “Hasan Prishtina” është universitet, por unë mund ta përdorë këtë emërtim, pasi na e kanë ndaluar qëmoti.

Disa herë në Tiranë u ngatërrova, duke u thënë Kolegji i Tiranës, derisa reagimet e tyre ishin, “ça thu mo, ç’është Kolegji?”, madje edhe për faktin se unë e kam të memorizuar në kokën time zëvendësimin e termit “Universitet” me “Kolegj”. Natyrisht se kjo ka lënë pasoja tek unë. Madje disa medie mezi presin që unë ta përdor termin universitet për të bërë shkrime në gazeta ose MAShT për të na dërguar inspeksione në rast se ne që nuk i takojmë sektorit publik, gabojmë dhe e përdorim termin universitet. Duhet të pyesim në ministri se si duhet të sillemi në rastin kur partnerët tanë jashtë Kosovës, me të cilët ne kemi bashkëpunim kolegjial (jo universitar, të mos na keqkuptojë ministria dhe media) na quajnë universitet, si duhet të jetë reagimi ynë. Aktualisht asgjë më të ndaluar për sektorin privat se përdorimi i termit universitet nuk ka.

S’ka dyshim se emërtimi më i ndaluar për përdorim në shekullin e kaluar ka qenë Kosova Republikë, kurse tani, këtë shekull, universitet (për institucionet jopublike).

Po ka edhe ngjashmëri të tjera mes Kosovës Republikë dhe universitetit privat.

Kundërshtarët e Kosovës Republikë thoshin Kosova kurrë nuk do të bëhet Republikë, të njëjtën gjë e thonë edhe kundërshtarët e arsimit privat se në Kosovë nuk do të ketë universitet privat. (Koincidencë e dreqit) edhe pse “Never say Never”, thonë njerëzit më të mençur të botës (për shembull amerikanët).
Ka edhe diçka tjetër të përbashkët: kjo ndalesë ishte e sanksionuar me ligj.

Me ligj ishte e ndaluar të thuhet Kosova Republikë, me ligj, po ashtu, është e ndaluar të thuhet universitet për sektorin privat. Madje mund të thuhet se Neni 16, paragrafi 5 i Ligjit të Arsimit të Lartë, është pa precedent në planetin tonë (për planet e tjera nuk di). Dhe kjo së bashku me disa dispozita të Statutit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës janë dispozitat më të “çmendura” që ka “E Drejta e Kosovës”, e të gjitha fushave, përfshirë edhe aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Kosovës (asaj Republike që ishte e ndaluar).

Dorën në zemër, Neni 16, paragrafi 5, është në s’përputhje të plotë edhe me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Madje atë që e merr malli për monizëm dhe ligjet e tij, le të çmallet duke lexuar Nenin 16, pika 5 e Ligjit për Arsimin e Lartë (ku disa programe rreptësisht u ndalohen ‘privatëve’) dhe Statutin e ASHK-së, ku nominimet për anëtarë të rinj duhet të vijnë vetëm nga institucionet publike. Le të lexojnë dhe le të kënaqen, le t’i shijojnë këto specie ligjore të fundit të kohës së monizmit. (Monizmit emri ju harroftë e unë ndjehem i sigurt në këtë mallkim!).

Është e vërtetë se ministri aktual i Arsimit, duke qenë edhe vetë profesor i së Drejtës Kushtetuese, prej fillimit të marrjes së mandatit ka bërë dhe po bën përpjekje ta promovojë barazinë mes sektorëve ashtu siç thotë Kushtetuta dhe siç thonë parimet e përgjithshme të Ligjit, por mentalitet diskriminuese të mbetura si “relikte” të kohës së monizmit brenda MAShT-it, dhe një pjesë e të ashtuquajturve “ekspertë” të jashtëm, ende janë aktivë, madje edhe këmbëngulës për ta avancuar edhe më tutje këtë diskriminim.

Kemi gjetur dhe lexuar shumë ligje të arsimit të lartë në botë dhe një dispozitë të tillë nuk e kemi gjetur në asnjë ligj të botës. E, besa, i kam lexuar shumë e shumë statute të akademive të shkencave e të arteve në botë, sidomos këto të rajonit, Shqipëri, Mal i Zi, Bosnjë, Serbi, Bullgari, Kroaci, Slloveni etj., dhe asnjëra nuk i ka të mbyllura dyert për privatistët, e sa për Perëndim as mos t’ju shkojë mendja. Madje, ata po ta dinë se në ligjin tonë ka dispozita të tilla, mund të na nominonin për ndonjë çmim dhe ta kategorizonin në mesin e ligjeve më të çuditshme të botës.
Në arsyetimin e çmimit, ata mund të jepnin këta margaritarë:
Në Kosovë nuk lejohet që një universitet privat ta bartë emrin universitet (le të jetë ai edhe shumë më cilësor se ai publik); edhe institucionet me 15 mësimdhënës mund të jenë universitete – por jo privatët; dhe “vetëm universitetet publike përgatisin kuadro për mësimdhënie” (pa marrë parasysh sa jocilësore dalin ato kuadro). Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës nuk mund të nominohen anëtarë nga institucionet që nuk janë publike.

Në Francën e udhëhequr shumë kohë nga socialistët ka një ligj që ua ndalon njerëzve që një derri t’ia vënë emrin Napoleon, por nuk ka një ligj që dallon arsimin publik nga ai privat; në Ohajo thonë se ka një ligj të qartë që e ndalon njeriun ta dehë një peshk, por nuk ka ligj që e dallon arsimin publik nga ai privat.
Në Ilinois nuk mund t’u ofrosh cigare kafshëve shtëpiake, por nuk kanë ligj që e ndajnë arsimin publik dhe atë privat.
Në Siena është e ndaluar që gratë me emrin Maria të punojnë si prostituta, por nuk ka ligj që e dallon arsimin publik dhe privat. Ka shumë shtete që deri në detaje kanë rregulluar çështje të caktuara si edhe lloji i karremit që duhet të përdoret për peshkim, por nuk kanë ligj që e ndan arsimin publik nga ai privat.
Pse ne duhet të jemi të vetmit në botë me këto ligje e statute në kundërshtim edhe me Kushtetutën e Kosovës, që e ndalon çdo lloj diskriminimi? Pse Kosova duhet të jetë i vetmi vend në botë që institucionet jopublike të arsimit të lartë nuk mund të quhen universitete (edhe pse disa institucione të arsimit të lartë nuk e meritojnë të quhen as universitete, as kolegje e as asgjë)?

Mendohej se me heqjen e ndalesës për emërtimin Kosova Republikë nuk do të kishim ndalesa të tilla.
Sa të vonë jemi!

Dikur në këto hapësira kishte ligj për dënim me vdekje, madje edhe dënoheshin njerëz me vdekje. Shteti i parë që ka hequr dënimin me vdekje ishte Austria, në vitin 1787, por edhe 200 vjet më vonë në Kosovë shteti komunist jugosllav i bënte “batare” njerëzit. I fundit, Ferat Muja, kah mesi i viteve të tetëdhjeta, kurse po ashtu 200 vjet pas Austrisë, madje krejt në fund të viteve tetëdhjeta në Kukës e varën në litar Havzi Nelën, njërin prej poetëve më të shquar të kohës. Sigurisht në emër të do ligjeve sepse shtetet dinë të bëjnë edhe ligje të tilla, por aktorët e ligjeve të tilla do të mbesin përgjithmonë të turpëruar.
Tani Ligji i ri për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka kaluar, kurse Ligji i ri për Arsimin e Lartë është tërhequr, por një ditë gjithsesi se do të kthehet në kuvend.
Ne presim të përshëndetemi përfundimisht me komunizmin.

Në fund, do të doja të mund të them se komunizmi, monizmi e izma të tjerë kanë marrë fund në këtë vend, por nuk jam i sigurt!
Edhe diçka…

Sivjet niset për në kozmos anija e parë private, e ne ende me këto dilema, e ne ende me këto tema.