Aktuale

Komandantët e UÇK-së sot japin llogari para gjykës për veteranët e rrejshëm

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të mbahet sot seanca për listat e veteranëve të rrejshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në Gjykatën e Prishtinës pritet që të mbahet seanca fillestare në lidhje me aktakuzën për fryerjen e listave të veteranëve të UÇK’së.

Të akuzuar në këtë aktakukzë janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Shkumbin Demaliaj, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe të tjerë.

Në seancën e sotme është paraparë që të vendoset lidhur me masën e përkohshme të ndalimit të pensioneve për “veteranët e rrejshëm”.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë për veteranët mashtrues vitin e kaluar. Atëherë prokuroria kishte kërkuar që të gjithë përfituesve të kundërligjshëm t’u ndalohet marrja e pensionit si veteranë luftëtarë të UÇK-së.

Bëhet e ditur se nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Rasti Blakaj kishte tronditur opinionin pasi ish-prokurori i Prokurorisë Speciale ishte larguar në SHBA, duke thënë se ka marrë kërcënime. Pas largimit ai ishte sulmuar edhe nga kryeministri Haradinaj i cili e kishte quajtur hajn.

“Të gjithë këta, si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave të tjerë të përfitojnë kundërligjshëm në vazhdimësi në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën e nënshkruar nga prokurori i rastit.

Gjithashtu, në aktakuzë është propozuar që gjykata ta lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme, si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

“Nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Prokuroria Speciale ka propozuar që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit për veprën penale që u vihet në barrë, të shpallen fajtorë dhe të gjykohen sipas ligjit.

Po ashtu, PSRK-ja ka propozuar që Gjykata të marrë vendim që të gjithë përfituesve të kundërligjshëm t’u ndalohet marrja e pensionit si veteranë luftëtarë të UÇK-së”, thuhej në njoftimin dërguar mediave.

the authorBurbuqe Metolli