Sport

Kombëtarja e Kosovës i nis sot përgatitjet për ndeshjet e tetorit

Ekipi kombëtar i Kosovës do të grumbullohet sot për t’i nisur përgatitjet për dy ndeshjet e tetorit në Prishtinë, miqësoren kundër Gjibraltarit dhe ndeshjen kualifikuese për Euro 2020 ndaj Malit të Zi.

Shumica e futbollistëve do t’i bashkohen sot Kombëtares dardane në kryeqytet sot, pas obligimeve me ekipet e tyre përkatëse në fundjavë, për t’i nisur përgatitjet për ndeshjen e kësaj jave dhe asaj të fillim javës së ardhshme.

Trajneri i verdhekaltërve, Bernard Challandes, pritet të flasë para mediave në orën 11:00, para se ta stërvitë skuadrën pasditen e sotme në stadiumin Fadil Vokrri.

Kosova do t’i vazhdojë përpjekjet për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian në tentimin e saj të parë, pasi më 14 shtator do të jetë nikoqire e Malit të Zi në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.

Por, para përballjes me Malin e Zi, Kombëtarja dardane do ta luajë një ndeshje miqësore, po ashtu në kryeqytet, kundër Gjibraltarit këtë të enjte pasdite.

Pas pesë xhirove, Kosova gjendet në vendin e tretë, por me shanse shumë të mira për ta arritur kualifikimin, sepse ngel vetëm një pikë prapa Republikës së Çekisë, e cila pozicionohet në vendin e dytë, i cili dërgon direkt në Euro 2020. Anglia, ndërkohë, është lidere e Grupit A me gjasa shumë të mëdha për ta fituar atë.

Për këto ndeshje, trajneri zviceran do të ketë skuadër më të kompletuar, pas rikthimit të yllit të Werder Bremen, Milot Rashica, mesfushori Herolind Shala dhe Benjamin Kolollit, të cilët munguan në ndeshjet e shtatorit shkaku i lëndimeve.