Aktuale

Komisioni: ​Kosova ka territor 10 mijë e 905 km2, Qakorri jashtë territorit të Kosovës

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, ka prezantuar të dhënat, materialet dhe gjetje, sipas të cilave del se Qakorri dhe Bjelluha janë jashtë territorit të Republikës së Kosovës. Ndërsa madhësia territoriale e Kosovës del të jetë është 10 e 905. 25 Km2.

Kryetari i këtij Komisioni Hivzi Islami tha se gjatë konsultimeve me përfaqësues të KFOR-it, është konfirmuar se hartat e KFOR-it që tregojnë linjën kufitare Kosovë-Mali i Zi, janë të njëjta me ato që u janë dorëzuar nga Komisioni Shtetëror. Sipas Islamit puna e Komisionit ishte profesionale dhe plotësisht e pavarur.

 

“Si pjesë e punës transparente të Komisionit dhe konform kërkesës sonë të vazhdueshme për punë të përbashkët, të gjithë atyre që mund dhe duhet të kontribuojnë në këtë proces, nga sot me 21 shkurt deri me 24 shkurt 2017, në ndërtesën e Qeverisë i gjithë dokumentacioni me gjetje profesionale dhe shkencore dhe menaxheriale që lidhet me madhësinë territoriale të Kosovës, do t’i ofrohet opinionit publik dhe komisioni do të marrë në konsideratë çdo të dhënë, dëshmi dhe vërejtje të argumentuar me rastin e hartimit të raportit përfundimtar, i cili do t’i dorëzohet Qeverisë së Kosovës. Nga momenti që komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Kosovës ia dorëzon Qeverisë raportin përfundimtar përmbyllet puna e tij. Deri tash Komisioni në punën e tij ishte plotësisht i pavarur, larg ndikimeve dhe animeve politike, partiake, të grupeve të interesit.Në punën e tij nga fillimi deri më sot mbisundoi profesionalizmi”, tha Islami.

Ndërsa tha se madhësia territoriale e Kosovës është 10 mijë e 905 km2, shifra këto që kanë dalë për herë të parë, pasi që matjet janë bërë me teknologji të sofistikuar.

 

“ Madhësia territoriale e Republikës së Kosovës doli 10 mijë e 905.25 km2. Këto shifra kanë qarkulluar këto vitet nga ’82-shi, deri në ‘81-tën kemi shifrën 10 mijë e 887 km2. Hera e parë kanë dalë këto shifra sepse janë bërë matjet me një teknologji më të sofistikuar”, tha ai.

Zëdhënësi i Komisionit Tomor Qela, i cili i prezantoi të dhënat faktografike, të cilat janë shqyrtuar gjatë hartimit të draft raportit për sipërfaqen e territorit të Kosovës, tha se Qakorri dhe Bjelluha nuk janë pjesë e territorit të Kosovës.

 

“Një hartë e cila po ashtu në mënyrë të qartë me shkronja tregon se Qakorri dhe Bjelluha janë jashtë territorit të Kosovës. Argument tjetër shkencor kemi të botuar nga ASHAK në botimin ‘Kosova vështrim monografik’, Prishtinë 2011, paraqet hartën gjeografike, e cila kufirin e Kosovës e tregon po të njëjtin kufi që ne sot e kemi të prezantuar në të gjithë dokumentacionin zyrtar”, tha ai.

Kryetari i Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit, Hivzi Islami, pas paraqitjes së raportit me të gjeturat që ka bërë ky komision në një konferencë për media tha se kanë punuar për të vërteten dhe se për këtë punë që bën nuk ka asnjë privilegj. Sipas tij detyra që ka marrë ai dhe ekspertët tjerë ka qenë që ta qartësojnë të vërtetën, e jo ta thellojnë krizën. Islami ka folur edhe për dorëheqjen e Fitim Humollit nga ky komision, duke thënë se e kanë ditur që nga dita e parë se ai do të ikë pasi që ka kryer detyrën e postierit.

 

“ Në fillim ai ka thënë se nuk e pranoj këtë komision. Ne i kemi thënë pse ke ardh. Ai e ka pasur një detyrë tjetër, më shumë një detyrë të postierit dhe një interpreti mekanik, i atyre që e kanë dërguar e vet nuk vijnë që t’i qartësojnë problemet”, tha Islami.

Por me deklarimet e Islamit për një punë profesionale të komisionit, nuk po pajtohet as anëtari tjetër i komisionit, Agron Luta. Ai raportin sot e quajti jo profesional.

 

“Unë kam deklarua edhe dje në komision që nuk jam pajtua nga ana profesionale e hartimit të këtij raporti. Qëndroj mbas asaj deklarate që kam dhënë në komision, që ky raport për mua është i papranueshëm në aspektin profesional”, tha ai.

Ndryshe, raporti i prezantuar ishte një draft raport i punës së ekspertëve për matjen e territorit dhe Raporti final do të dal pas konsultimeve të fakteve me ekspertët dhe shoqërinë civile dhe më pastaj do t’i dorëzohet Qeverisë së Kosovës./KP