Aktuale

Komisioni për Shënjimin e Kufirit: Kemi nevojë edhe për materiale shtesë

Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, duke vepruar sipas vendimit për emërimin e tij, të Qeverisë së Kosovës, deri më tash ka mbajtur disa takime pune, në të cilat, në mënyrë të organizuar, ka analizuar pjesë të materialeve të punës të ish-Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.

“Komisioni ka konkluduar se ka nevojë edhe për një numër të konsideruar të materialeve shtesë, të cilat do t’ua kërkojmë me shkrim disa institucioneve përkatëse”, thuhet në një komunikatë nga ky Komision që tashmë kryesohet nga Shpejtim Bulliqi.

“Theksojmë se Komisioni do të punojë krejtësisht në përputhje me gjendjen e fakteve të verifikuara dhe sipas Ligjit në fuqi. Presim nga mjetet e informimit që këtë informatë ta kuptojnë si dëshirë dhe si vullnet i Komisionit për të punuar në mënyrë transparente, ndërsa, për punët në vijim, Komisioni do t’u informojë me kohë, në forma të përshtatshme të komunikimit”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.

Siq thuhet në komunikatë Komisioni shpreh shqetësimet e tij për shkak të disa përpjekjeve për zhvlerësimin paraprak të punës së tij, por ky komision do të punojë si duhet, pavarësisht nga përpjekjet e tilla.