Aktuale

Konferenca e Parisit, vendet e Ballkanit paraqiten me projekte konkrete

Nis nesër, më 4 korrik në Paris konferenca e tretë për Ballkanin Perëndimor pas takimit të Berlinit dhe Vjenës. Liderë politikë nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi do të takohen me krerët e BE, Gjermanisë, Francës, Austrisë dhe vendeve të tjera.

Qëllimi i samitit që vjen vetëm pak ditë pas referendumit të Britanisë për dalje nga BE është afrimi i vendeve të Ballkanit me unionin tashmë 27 anëtarësh.

Gjatë punimeve të samitit do të bëhet vlerësimi i progresit të arritur projektet e deritanishme si dhe priten të ndërmerren nisma për projekte të reja në mbështetje të vendeve Ballkanike. Ndër temat e samitit do të jenë edhe avancimi i bashkëpunimit mes shteteve në Rajon, fuqizimi i ekonomisë dhe bashkëpunimi ndërmjet të rinjve.

Më herët shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati bëri të ditur se në samitin e Parisit, Shqipëria do të kërkojë financimin e një projekti hekurudhor.