Sport

Konfirmohen negociatat mes Milanit dhe Ibrahimovicit

Sulmuesi i LA Galaxy, Zlatan Ibrahimovic, së shpejti do të ketë mundësi të kalojë në ndonjë klub të ri si transferim i lirë dhe Komisionari i MLS, Don Garber, ka konfirmuar se Milani është duke e rekrutuar atë.

38-vjeçari Zlatan Ibrahimovic i ka kaluar 18 muajt e fundit të karrierës së tij në MLS (Major League Soccer, liga e nivelit të parë të futbollit në SHBA), mirëpo kontrata e tij me LA Galaxy përfundon në dhjetor dhe ai është lidhur me një kthim në futbollin evropian.

Gjatë karrierës së tij të gjatë, Ibrahimovic kishte luajtur për Milanin për dy sezone, para se të shkonte në Paris Saint-Germain në vitin 2012, dhe komisionari i MLS, Gqarber, ka lënë të kuptohet se një kthim është i mundshëm.

“Zlatan është një djalosh aq interesant. Ai m’i mban duart e mbushura dhe telefonin me plot mesazhe, por ai është një lojtar që të emocionon menjëherë”, ka thënë Garber, në një intervistë të dhënë për ESPN.

“Ti ke nevojë për lojtarë që dallohen nga të tjerët, siç kishte qenë edhe David Beckhami në fillimet e famës së MLS. Ai është një djalosh 38-vjeçar që po rekrutohet nga Milani, që është ndër klubet më të mëdha në botë”.

Megjithatë, Garber nuk e ka përjashtuar mundësinë që suedezi të arrijë marrëveshje për të qëndruar edhe më tutje në Los Angeles.

“Ai ka thyer rekorde me numrin e golave që i ka shënuar në dy vitet e fundit dhe është emocionues si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Na ka mbajtur të zënë, por do të më pëlqente ta shihja këtu edhe më tutje”, shtoi Garber.

“Por, kjo varet nga Los Angeles Galaxy. Unë i kam shijuar momentet e Zlatanit këtu, veçanërisht kur ai më flet mua në vetën e tretë”.

Ibrahimovic ishte emëruar në formacionin më të mirë të vitit 2019 dhe 2019 të MLS, pasi ka arritur t’i shënojë plot 53 gola.