Rajon & Botë

Koreja e Jugut i kërkon Veriut të kthehet në rrugën e dialogut

Koreja e Jugut i kërkoi sot Phenianit që të rikthehej në tryezën e bisedimeve dhe t’u jepte fund provokimeve të komunitetit ndërkombëtar, i cili me anë të OKB-së vendosi dje sanksione të tjera kundër Koresë së Veriut.

Duke bërë të ditur që sanksionet ishin miratuar njëzëri edhe nga Kina dhe Rusia, dy aleate të Phenianit, zëdhënësi i ministres së Jashtme koreanojugore, Kang Kyung Wha, i përshëndeti ato si mesazhe me vlerë, raporton DPA.

“Ne i kërkojmë Koresë së Veriut që ta marrë seriozisht mesazhin e OKB-së dhe të ndalojë menjëherë provokimet. Ajo duhet t’i drejtohet rrugës së dialogut për denuklearizimin dhe paqen”, tha zëdhënësi.

Edhe ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi u kërkoi sot të gjitha palëve të përfshira që t’i jepnin fundprogramit të armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe t’i riktheheshin tryezës së negociatave.

“Propozimi ynë është që të gjitha palët e përfshira në çështjet bërthamore të rikthehen në tryezën e bisedimeve, të gjejnë zgjidhje nëpërmjet bisedimeve për të arritur deri te denuklearizimi i Gadishullit Korean”, tha gjatë takimit të vendeve të ASEAN-it, që po zhvillohet në Manila.