Sport

Kosova edhe me tri prurje “bombastike”

Pas Florent Muslijajt, për dy ndeshjet e shtatorit kundër Anglisë dhe Çekisë Kombëtares së Kosovës do t’i bashkohen edhe dy-tri përforcime tjera të mëdha. Në ditët apo në javët në vijim verdh e kaltër pritet të veshen edhe Elvis Rexhbeçaj, Bastien Toma dhe Loret Sadiku. Gazeta Express mëson se procesi i ardhjes së këtyre tre futbollistëve është në fazën finale.

Florent Muslija nuk do të jetë futbollisti i fundit që do t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës para dy ndeshjeve të shtatorit, që skuadra jonë shtetërore do t’i zhvillojë si mysafire e Anglisë dhe kundër Çekisë në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2016”.

Gazeta Express mëson se Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është shumë afër mbylljes së procesit edhe të dy-tru prurjeve të reja dhe shumë të mëdha. Bëhet fjalë për Elvis Rexhbeçajn, Bastien Tomën dhe Loret Sadikun.

Pikërisht në ditët apo në javët në vijim pritet të zyrtarizohen këto tri ardhje shumë të mëdha, të cilat me shumë gjasë do të jenë në dispozicion të përzgjedhësit Bernard Challandes për dy ndeshjet e shtatorit.

Rexhbeçaj është një mesfushor vetëm 21-vjeç që luan për klubin e madh gjerman, Wolfsburg. Ai po vëzhgohet nga klube të mëdha evropiane, ndërsa aftësitë e jashtëzakonshme të tij kanë rënë në sytë e Kombëtares së Gjermanisë.

Kjo ka bërë që Rexhbeçaj të mbetet deri më tani i pavendosur për të luajtur për Kosovën apo Gjermaninë. Por, tashmë mësohet se ai në parim ka vendosur për të luajtur për vendin e origjinës, Kosovën, e cila po shkëlqen në gara ndërkombëtare dhe si e tillë po bëhet e parefuzueshme për futbollistët kosovarë në perëndim, raporton Gazeta Express.

Në anën tjetër, Bastien Toma – futbollisti tjetër me potencial të jashtëzakonshëm – thuhet se në parim ka vendosur t’i mbrojë ngjyrat e Kosovës dhe të heq dorë nga mundësia për të luajtur në një të ardhme të afërt për Zvicrën.

Ai është një mesfushor 20-vjeç, tepër i rëndësishëm për Sionin. Ka luajtur për të gjitha ekipet e shpresave të Zvicrës. Por, po përfundon në vendin e origjinës, në Kosovë.

Ndërkohë, procesit gjyqësor të rastit të Loret Sadikut po i vjen fundi.

Dhe, sipas të gjitha gjasave futbollisti defanziv do ta marrë lejen nga FIFA që t’i bashkohet Kosovës, të cilën e do me çdo kusht para Shqipërisë, të cilën dikur e donte më shumë sesa Suedinë, atëherë kur Kosova nuk njihej nga UEFA e FIFA. /GazetaExpress/

the authorBurbuqe Metolli