Aktuale

Kosova nuk është prioritet për shumicën e serbëve

Një studim i ri tregon se ndërsa shumica e serbëve nuk duan të braktisin pretendimin e tyre ndaj Kosovës, ata nuk duan të bëjnë ndonjë sakrificë personale, ose të humbasin anëtarësimin në BE për të.
Një sondazh i ri i kryer ndërmjet 17 dhe 27 dhjetorit nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur dhe Marketingu Strategjik IPSOS, i publikuar të enjten, tregoi se vetëm një pakicë e vogël e të anketuarve e panë Kosovën si ndër problemet kryesore me të cilat ballafaqohet vendi.

“Duke folur për prioritetet me të cilat duhet të merret qeveria serbe, çështja e Kosovës është shumë prapa çështjeve ekonomike, shëndetësore dhe korrupsionit”, thanë autorët e anketës.

Vetëm 8 për qind e të anketuarve thanë se ata mendojnë që zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të jetë prioriteti më i rëndësishëm, ndërsa 22 për qind e kanë shënuar atë në mesin e tre çështjeve më të rëndësishme.

Më shumë se gjysma e të anketuarve thanë se nuk ndjekin lajmet dhe ngjarjet që kanë të bëjnë me Kosovën dhe pak më shumë se një e katërta kanë deklaruar se ndjekin vetëm ngjarjet ose lajmet kryesore.

Kosova, shumica e banorëve të të cilës janë shqiptarë, shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.

Megjithatë, ajo de facto u nda në vitin 1999 si rezultat i luftës ajrore të NATO-s mbi Serbinë, e cila detyroi Serbinë të tërhiqte forcat e saj nga provinca e atëhershme.
Shumica e vendeve perëndimore, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara, e kanë njohur Kosovën shumë kohë më parë, por shtetësia e Kosovës është ende e kontestuar nga Serbia dhe Rusia, ndër të tjera.

Qytetarët serbë gjithashtu nuk kanë një pasqyrë të qartë të rezultatit të mundshëm për Kosovën, sugjeroi sondazhi.

Ai tregoi se 19 për qind besojnë se Serbia do të përfundojë me të njëjtin, ose me më pak ndikim në Kosovë sesa ka sot.

Pjesa tjetër prej 20 për qind thanë se mendojnë që Kosova “do të bëhet shtet i pavarur pavarësisht nga përpjekjet e Serbisë dhe se Serbia do të humbasë të gjithë ndikimin në Kosovë”.

“Nuk ka asnjë qëndrim të vetëm midis qytetarëve lidhur me atë se çfarë zgjidhje është në interesin më të mirë të Serbisë, edhe pse përqindja më e madhe e qytetarëve besojnë se do të ishte kthimi i Kosovës te Serbia”, thuhet në rezultatet e anketës.
Rreth 28 për qind e qytetarëve mendojnë se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte “autonomi thelbësore brenda shtetit të Serbisë”. Vetëm shtatë për qind u përgjigjën se zgjidhja më e mirë për Serbinë do të ishte Kosova si shtet i pavarur.

“Më shumë se tre të katërtat e qytetarëve besojnë se Serbia nuk ka ndikim në ngjarjet në Kosovë dhe një shumicë dërrmuese e qytetarëve besojnë se me pavarësinë e Kosovës ky ndikim do të mbetet i pandryshuar ose do të reduktohet më tej”, thuhet në këtë studim.

Shumë serbë ndërkohë e shohin mosmarrëveshjen e Kosovës si pengesë për përparimin e Serbisë, me 46 për qind që besojnë se çështja e Kosovës është pengesë kryesore për përparimin ekonomik të Serbisë.

Pjesa tjetër prej 42 për qind u përgjigjën se “Kosova si territor tashmë është humbur, Serbia duhet të shqetësohet për serbët dhe trashëgiminë e tyre kulturore në Kosovë, por është e paarsyeshme që për shkak të territoreve të humbura tashmë ne e mohojmë mundësinë për zhvillimin më të shpejtë të Serbisë që ne ofrojmë përmes anëtarësimit në Bashkimin Europian”.

Anketa gjithashtu tregoi se shumica e qytetarëve nuk janë të gatshëm të bëjnë një “flijim personal” kur bëhet fjalë për Kosovën, 82 për qind nuk duan të jetojnë në Kosovë, dhe 77 për qind nuk duan të japin ndonjë para për Kosovën.

“Edhe pse nuk ka ndonjë qëndrim të qartë për masën në të cilën është e dëshirueshme për njerëzit për të shpallur haptazi se Kosova është e humbur, mesatarisht 4 nga 10 qytetarë besojnë se politikani që e bën këtë do të fitonte respekt te njerëzit”, përfundoi sondazhi.

the authorE B