Sport

Kosova sot zbulon renditjen e re në FIFA

FIFA do ta përditësojë sot ranglistën e ekipeve kombëtare të botës, pas ndeshjeve të zhvilluara gjatë muajit qershor. Edhe këtë herë Kosova do të shënojë ngritje në tabelë për shkak të rezultateve të marra këtë muaj.

Barazimi me Malin e Zi në Podgoricë dhe triumfi kundër Bullgarisë në Sofje bëjnë që Kosova të presë ngritje në renditjen e FIFA-s. Kosova fiton pikë edhe nga barazimi me malaziasit për shkak se ata shumë më mirë sesa “Dardanët” në këtë listë të FIFA-s.

Aktualisht, Kosova renditet e 127-ta dhe që prej fillimit të vitit 2018 ka pasur vazhdimisht vetëm rritje. Këtë trend pritet ta vazhdojë edhe gjatë orëve në vijim, kur FIFA e publikon renditjen e re.

Gjatë muajit qershor, Kosova i zhvilloi dy ndeshje në kuadër të Grupit A të kualifikimeve të Kampionatin Evropian 2020. Fillimisht, skuadra e Bernard Challandes barazoi me rezultat 1:1 në Podgoricë kundër Malit të Zi, që renditet në pozitën e 51-të aktualisht.

Dy pikët e humbura në Podgoricë, Kosova i kompensoi me tre pikë të fituara në Sofje, kur në mënyrë dramatike, në fund të ndeshjes, siguroi fitore me rezultat 3:2 kundër Bullgarisë, që ndan pozitën e 51-të me Malin e Zi.

Kosova u anëtarësua në FIFA para tre vjetëve dhe gjatë kësaj kohe ka arritur të ngrihet nga pozita e 190-të në atë të 127-të. Rritjen më të madhe e pati në prill të vitit 2018, kur u ngrit në tabelë për 24 pozita. Që nga atëherë, Kosova gjithmonë është ngritur në këtë tabelë.

Hera e fundit që ka rënë në këtë ranglistë ishte në muajin janar të vitit 2018, kur ra për një pozitë më poshtë, ndërsa rënien më të thellë që nga viti 2016 e kishte në prill të 2017-ës, kur ra për gjashtë pozita.

Ranglista e radhës e FIFA-s do të publikohet më 25 korrik, mirëpo gjatë kësaj kohe Kosova nuk mund të fitojë pikë pasi që nuk do ta zhvillojë asnjë ndeshje deri në shtator. /Gazeta Express/

the authorBurbuqe Metolli