Arsim & Kulturë

Kosova me strategji kombëtare për trashëgimin kulturore

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot Strategjinë Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore 2017-2027, si dokument themelor i politikave të Kosovës në këtë fushë në periudhë afatgjate.

Sipas Ministrisë së Kulturës, kjo është strategjia e parë e Kosovës në këtë fushë që nga paslufta dhe miratimi i tij shënon moment të rëndësishëm për politikat, bazën ligjore, institucionet, administrimin, konservimin ruajtjen dhe promovimin trashëgimisë së Kosovës, si pasuria më e madhe dhe si shenja themelore e identitare e saj.

“Me qëllim të përcaktimit të vazhdueshëm të trashëgimisë kulturore si shtyllë e rëndësishme e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, zhvillimit të bashkëpunimit dhe avancimit të sistemit të mbrojtjes dhe ruajtjes të trashëgimisë kulturore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hartuar dokumentin Strategjia Kombëtare për Trashëgimi Kulturore 2017-2027. Në dokumentin e Strategjisë Kombëtare për Trashëgimi Kulturore adresohen aspektet themelore që në mënyrë të drejtpërdrejtë synojnë promovimin e vlerave reale kulturore dhe ekonomike të trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës, si dhe rritjen e dukshmërisë së vlerave potenciale të saj. Synimet e Strategjisë janë: – Sistemi ligjor dhe institucional i mbrojtjes – në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjeve tjera relevante dhe angazhimeve të Kosovës, si dhe orientimin e Qeverisë së Kosovës karshi Prioriteteve të Partneritetit Evropian d he anëtarësimit në UNESCO; – Qasja e integruar në mbrojtje – sipas parimeve dhe trendëve të planifikimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm urban, ekonomik, shoqëror dhe kulturor; – Edukimi, promovimi dhe ndërgjegjësimi qytetar – me qëllim të nxitjes së ndjenjës së identitetit kulturor dhe si burim i frymëzimit dhe inovacionit.Dokumenti i Strategjisë Kombëtare për Trashëgimi Kulturore ka përcaktuar 5 objektiva: 1. Avancimi i kornizës ligjore dhe institucionale; 2. Qasja e integruar në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, drejt zhvillimit të qëndrueshëm; 3. Përfshirja e trashëgimisë kulturore në planet zhvillimore; 4. Promovimi i trashëgimisë kulturore; 5. Edukimi, aftësimi dhe pjesëmarrja aktive në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, thuhet në një komunikatë të MKRS-së.

MKRS thotë se në fushën e avancimit të kornizës ligjore dhe institucionale, prioritet mbetet investimi në institucionet e trashëgimisë kulturore dhe në sistemin e mbrojtjes në përgjithësi. Avancimi i vazhdueshëm i legjislacionit për trashëgimi kulturore do të përfshijë edhe masat që garantojnë harmonizimin me ligjet tjera të Kosovës, si dhe me legjislacionin e BE-së.

“Qasja e integruar me këtë strategji merr përmasa zhvillimore në gjithë territorin e Kosovës duke e promovuar trashëgiminë kulturore si resurs të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, shoqëror dhe kulturor, në konsultim me aktorët relevantë dhe nëpërmjet pjesëmarrjes aktive të komuniteteve relevante, përfshirë komunitetet fetare, si dhe pronarët, poseduesit dhe shfrytëzuesit e pronave kulturore, siç është përcaktuar me legjislacionin përkatës dhe angazhimet ndërkombëtare ligjore dhe politike të institucioneve të Kosovës. Objektiv i veçantë dhe sfidues në këtë qasje bëhet përfshirja e trashëgimisë kulturore në plane dhe programe zhvillimore komunale dhe kombëtare. Metodologjia dhe praktikat e mira të konservimit të integruar të cilat promovojnë konkurrencë të lirë dhe të shëndoshë, si dhe nxitjen e kreativitetit dhe të inovacionit, do të vihen në shërbim të komunave të Kosovës nëpërmjet avancimit dhe zbatimit konsekuent të dokumentit strategjik të MKRS-së për konservimin e integruar (2010) dhe në harmoni me udhëzimet dhe praktikat ndërkombëtare, të promovuara nga UNESCO, KE, ICOMOS, ICCROM-i etj. Komunikimi dhe promovimi gjithëpërfshirës i trashëgimisë kulturore dhe i arritjeve në fushën e zhvillimit kulturor me këtë Strategji bëhet hallkë vitale e procesit të mbrojtjes dhe njëherë e mëvetësishme, e cila garanton promovimin e vlerave reale kulturore dhe ekonomike të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Strategjia në këtë kuadër shtron si kërkese studimin e plotë dhe sistematik të trashëgimisë kulturore, si dhe interpretimin objektiv për t’u plasuar në botime dhe mediume virtuale. Edukimi, aftësimi dhe pjesëmarrja aktive, në këtë kuadër, do të përkrahet me qëllim të zhvillimit pozitiv të debatit bashkëkohor në fushën e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Së këndejmi, do të përkrahet ndërtimi sistematik i kapaciteteve profesionale të punonjësve të trashëgimisë kulturore, të cilët përbëjnë burimin formal të komunikimit dhe të veprimit pjesëmarrës me publikun e gjerë”, thuhet në komunikatë.

Përtej këtyre angazhimeve dhe duke ruajtur të drejtat e pronarëve, poseduesve dhe shfrytëzuesve të pronave kulturore, Strategjia thërret për përmirësim të “qasjes për të gjithë” në trashëgiminë kulturore si e drejtë e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe si kontribut i të gjitha palëve për sigurim të qasjes së papenguar.

Gjatë hartimit të Strategjisë janë shqyrtuar gjerësisht përvojat e kaluara dhe gjendja e trashëgimisë kulturore në Kosovë, si dhe çështjet që kërkojnë rishikim dhe orientim të ri në periudhën 2017-2027. Çështjet dhe përvojat janë identifikuar në formë të analizës së të dhënave nga dokumentet relevante të rëndësisë kombëtare për Republikën e Kosovës, si dhe në bazë të përvojës institucionale në ballafaqimin ditor me problematikat e fushës së trashëgimisë kulturore.

Gjatë hartimit të dokumentit të Strategjisë Kombëtare për Trashëgimi Kulturore janë zbatuar udhëzimet për hartimin e dokumenteve strategjike duke përfshirë dhe procesin konsultativ. Në proces janë shqyrtuar edhe dokumente tjera, konventa dhe karta ndërkombëtare./KosovaPress/