Sport

Kosova synon sot suksesin më të madh në histori të futbollit të saj

Kosova synon ta arrijë sot suksesin më të madh në histori të ekipit kombëtar të futbollit në ballafaqimin e saj të fundit në Ligën D – të garës inauguruese të UEFA-s, Ligën e Kombeve – kundër Azerbajxhanit në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Kosova do të jetë nikoqire e Azerbajxhanit në takimin e fundit dhe më të rëndësishëm në Grupin 3 të Ligës D, i cili do ta përcaktojë fituesin e grupit, që nënkupton promovim në një nivel më të lartë të Ligës së Kombeve, Ligën C, si dhe play-off në rrugë për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020, raporton Gazeta Express.

Që prej pranimit në dy organet qeverisës të futbollit evropian dhe botëror, UEFA dhe FIFA në vitin 2016, Kosova është shumë pranë ta korrë suksesin më të madh në futbollit e ekipit të saj kombëtar, pas dështimit në kualifikimet për Kupën e Botës 2018.

Ekipit kombëtar të Kosovës, që drejtohet nga zvicerani Bernard Challandes, i kryen punë edhe barazimin për ta përmbushur qëllimin, pasi është lider i grupit me 11 pikë, ndërsa për vizitorët nga Azerbajxhani është fitore apo asgjë, pasi renditen në vendin e dytë me 9 pikë.

Duke marrë parasysh formën e treguar gjatë kësaj fushate, Kosova është me meritë skuadër favorite pasi i ka tri fitore dhe dy barazime nga të gjitha pesë ndeshjet deri tani. Në fakt, “Dardanët” nuk kanë humbur që prej tetorit 2017 në të gjitha garat.

Islanda është skuadra e fundit që e mposhti Kosovën (2-0), në një ndeshje kualifikuese për Botëror në tetor të vitit të kaluar.

Azerbajxhani, po ashtu, është skuadër e pamposhtur në Ligën e Kombeve, me dy fitore dhe tri barazime.

Në ndeshjen e parë mes tyre në Baku, këto dy kombëtare u ndanë baras në një takim pa gola.

Ballafaqimi mes Kosovës dhe Azerbajxhanit zhvillohet sot në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. /Express/