Sport

Kosova U19 në një grup me Rusinë për kualifikime në Evropian

Kombëtarja U-19 e Kosovës i ka mësuar sot kundërshtarët për ndeshjet për kualifikime në Kampionatin Evropian për grupmoshën U-19. Në këto ndeshje, Dardanët do të përballen me Rusinë, Poloninë dhe Uellsin.

Shorti për rundin kualifikues për këtë kampionat u mbajt sot nga kryesuesi i Komitetit për Futboll Amator dhe të të Rinjve në UEFA, John Delaney, shkruan Gazeta Express.

Nga gjithsej 13 grupe, Kosova është në grupin e pestë, dhe ndeshjet do të zhvillohen mes 13 dhe 19 nëntorit. Në këtë grup, përveç Kosovës, është edhe Rusia, Polonia dhe Uellsi.

Kundërshtari më i fortë për Kosovën në këtë fazë do të jetë Rusia, pasi që ata kanë radhitjen më të mirë nga tre kundërshtarët në këtë grup. Rusia ishte e renditur në vazon A, Polonia në vazon B, Uellsi në vazon C dhe Kosova në vazon D.

Dy skuadrat e para në secilin grup, si dhe një skuadër e cila renditet më së miri nga të gjitha skuadrat në vendin e tretë, do t’i bashkohen Portugalisë në rundin elitar në pranverë të vitit 2020.

Shtatë fitueset në grupet elitare do t’i bashkohen Irlandës Veriore, e cila është nikoqire e këtij Kampionati Evropian.

Për këtë short, Kosova ishte e radhitur në vazon e katërt, vazon e nivelit më të ulët. Njëjtë si për garat dhe grupmoshat e tjera, edhe për këtë short Kosovës i ndalohej të luante me Serbinë dhe Bosnjën. /Gazeta Express/

the authorBurbuqe Metolli