Aktuale

Kosova, vendi më i izoluar: Thaçi i vë fajin veç opozitës që pengoi kalimin e Demarkacionit

Presidenti Hashim Thaçi po mban konferencë për media në prag të 10-vjetorit të shtetësisë së Kosovës. Ai ka numëruar të arriturat teksa Kosova pas 10 vjetëve shtet është vendi më i izoluar. Mirëpo presidenti shikon anën pozitive përgjatë kësaj dekade, duke fajësuar vetëm opozitën për pengimin e ratifikimit si arsye e mosliberalizimit të vizave.

Thaçi thotë se gjatë këtyre 10 vjetëve Kosova ka pasur një rrugë të suksesshme proevropiane, ndërsa nuk mund të thuhet se ka ngecur përderisa konsideron se shteti është konsoliduar.

“Nuk është e lehtë për t’u konsoliduar shteti gjithëinstitucional. Kemi bërë reforme rrënjësore demokratike, reforma në drejtësi, kemi zhvilluar zgjedhje demokratike”, ka thënë i pari i vendit.

E për izolimin e Kosovës, presidenti i ka vënë fajin opozitës që gjatë mandatit të kaluar kishin penguar ratifikimin e Demarkacionit, si kusht për liberalizimin e vizave.

Thaçi refuzon t’i përmend faktorët e tjerë, madje edhe tentativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, që u pa nga ndërkombëtarët si vulë për izolim.

“Kosova është përballur kohëve të fundit me bllokada. Kosova s’ka pasur traditë armiqësinë politike”, ka thënë Presidenti, duke përmendur edhe veprimet e opzitiës me gaz lotsjellës në Kuvend kur po tentohej të ratifikohej Demarkacioni.

“Sikur të ratifikohej Demarkacioni, puna e liberalizimit të vizave do të kryhet”, tha Presidenti Thaci. /Express/