Aktuale

Kosovës duket se nuk do t’i ndalen grevat, tri sindikata paralajmërojnë kolaps të shtetit

Vitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti pati debate të ashpra, madje u mbajtën edhe greva nga ana e sindikatave të ndryshme dhe pas gjithë kësaj deputetët e legjislaturës së fundit të Kuvendit të Kosovës, në muajin shkurt të këtij viti, e miratuan Ligjin për Pagat në sektorin publik.

Për rritje pagash dhe miratimin e një ligji që rregullon të ardhurat e punonjësve në sektorin publik, në grevë patën hyrë punëtorët e arsimit, punëtorët shëndetësor, ata të administratës dhe të institucioneve të tjera publike.

E tek pas miratimit të ligjit për pak kohë pati një qetësi në Kosovë, e cila është prishur kohën e fundit, pasi shumë sindikata e punonjës po e kundërshtojnë ligjin me arsyetimin se nuk është arritur barazi në pagesa.

Tani pas hyrjes në fuqi të Ligjit për paga, Avokati i Popullit, Hilmi Hashari ka konfirmuar se sot është dërguar  në Kushtetuese.

E  dërgimi në Gjykatën Kushtetuese për ta pezulluar këtë ligj, sipas Institucionit të Avokatit të Popullit, vjen pas pranimit të 33 ankesave nga sindikata të ndryshme.

Mirëpo ka edhe nga ato sindikatat që kanë paralajmëruar masa nëse ky ligj dërgohet në Kushtetuese dhe merret vendit që të pezullohet.

Është Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës, Sindikata e Shëndetësisë dhe ajo e Policisë, të cilat kanë paralajmëruar se do të protestojnë nëse pezullohet ekzekutimi i ligjit të ri.

Nga SBASHK-u kanë bërë me dije për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se do të ishte e rrugës nëse do të gjendej një zgjidhje lidhur me pakënaqësitë ndaj ligjit, por jo të shkohet edhe me pezullimin e tij.

“Pas ankesave ka mundësi që Avokati i Popullit ta dërgoj në Kushtetuese këtë ligj. Kemi kontaktuar me kryetarin Sindikatës së Shëndetësisë, kryetaren e Sindikatës së Policisë dhe nëse ndodh kjo do të marrim masat tona. Në këtë rast mësimdhënësit janë të shqetësuar sepse kanë pritur një kohë të gjatë për të përmirësuar koeficientët dhe do të ishte keq që të ndodh kjo. Këshilli Drejtues do të vendos për hapat e mëtutjeshëm, por kam frikë se mund të kemi një gjendje jo të mirë në arsim nëse ndodh kjo”, ka thënë për FaktePlus, kryesindikalisti Rrahman Jashari.

Madje, ai takimin me Avokatin e Popullit të zhvilluar ditë më parë nuk e ka parë si presion, pasi janë diskutuar vetëm problemet nëse ky ligj pezullohet.

“Ne nuk kemi shkuar të bëjmë presion tek Avokati dhe nuk i bëjmë, kemi biseduar duke qarë hallet dhe ne duhet të kemi këtë ligj të zbatuar se mund të kemi telashe, zëri i mësimdhënësve do të zbatohet nëse ata kërkojnë masa”, thotë Jashari, shkruan FaktePlus.

Edhe nga Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), kanë pohuar se janë koordinuar me SBAShK-un dhe Sindikatën e Policisë së Kosovës, që të këmbëngulin në implementimin e Ligjit për Paga.

Ndryshe ky Ligji pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin paga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro

Në bazë të Ligjit, presidenti i Kosovës pritet ta ketë pagën më të lartë dhe do të paguhet sipas koeficientit 10, deri sa kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të paguhen sipas koeficientit 9. Më poshtë me koeficiente mandej janë të gjitha pozitat në sektorin publik./FaktePlus