Aktuale

KQZ: PAN 33.74%, VV 27.49% dhe LAA 25.53%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot ka publikuar rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit. Sipas rezultateve përfundimtare, koalicioni PDK-AAK-Nisma ka fituar zgjedhjet me 33.74 për qind, e ndjekur nga Lëvizja Vetëvendosje me 27.49 për qind dhe koalicioni LDK-AKR me 25.53 për qind. Ndërsa ndarja e ulëseve sipas subjekteve politike është koalicioni PAN ka 39 ulëse, VV 32 ulëse dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa 29 ulëse.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka ka paraqitur votat për subjektet pjesëmarrëse dhe kandidatët për deputetë që kanë fituar mandatin e deputetit. Ajo tha se në zgjedhjet e 11 qershorit, pjesëmarrja në votime ka qenë 41.30 për qind.

“PDK, AAK, Nisma, PD, LB, PSHDK, PKK, ADK, Republikanët e Kosovës, Partia e Ballit, PSD, BKK, ka pasur gjithsejtë 245 mijë e 646 vota apo 33. 63 për qind, Lëvizja Vetëvendosje ka pasur 200 mijë e 137 vota apo 27. 49 për qind, LDK-AKR, ka pasur 185 mijë e 492 vota apo 25.53 për qind. Lista Serbe ka pasur 44 mijë e 578 vota apo 6.12 për qind. Partia Fjala ka pasur 7 mijë e 991 vota apo 1.10 për qind. KDTP ka 7 mijë 852 vota apo 1.08 për qind. Ndërsa ndarja e ulëseve sipas subjekteve politike është si në vijim. PDK, AAK, Nisma, PD, LB, PSHDK, PKK, ADK, Republikanët e Kosovës, Partia e Ballit, PSD, BKK i ka 39 ulëse, VV 32 ulëse, LDK-AKR 29 ulëse, Lista Serbe 9 ulëse, KDTP 2 ulëse, koalicioni Vakat 2 ulëse, NDS 1 ulëse, SLS 1 ulëse, PDAK 1 ulëse, PLE 1 ulëse, JGP 1 ulëse, PAE 1 ulëse dhe Partia Rome e Bashkuar Rome 1 ulëse”, tha Daka.

Nga ky moment fillon afati prej 24 orësh për ankesë në PZAP për këtë rezultat, ndërsa PZAP-ja ka në dispozicion 72 orë për vendosjen e ankesave eventuale.

Shpallja e rezultateve përfundimtare, sipas Dakës, nuk është vonuar, pasi sistemi zgjedhor në Kosovë nuk mundëson shpalljen e rezultateve më herët.

“Nuk jemi vonuar, vetëm i kemi përfunduar procedurat ashtu siç parasheh ligji për zgjedhjet e përgjithshme. Pra nuk janë këto vonesa, por janë procedura që duhen të përfundohen ashtu siç e parasheh ligji. Mos harroni në sistemin tonë dallon nga sistemet tjera, kur ne kemi një zonë zgjedhore, kemi votën preferenciale deri në pesë vota dhe i kemi listat e hapura dhe të gjitha këto kanë kontribuuar që ne të kemi një kohë aq të gjatë të shpalljes përfundimtare të rezultateve, sepse po mos të ishte kështu do të dilnim me rezultate më shpejt”, tha Daka.

Për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, numri i votuesve të regjistruar ka qenë 1 milion e 888 mijë e 59 votues, derisa numri i votuesve që kanë votuar në secilin vendvotim ka qenë 747 mijë e 229 votues. Numri i votuesve që kanë votuar me kusht dhe me postë është 32 mijë e 705 votues./KP