Aktuale

Krahu i Molliqajt ende s’është ndarë me letra nga Grupi Parlamentar i VV’së

Ndarja finale e partisë më të madhe parlamentare po del të jetë në Kuvend. Pakënaqësitë, fyerjet e dorëheqjet që kanë shumë kohë që kanë filluar pritet të vulosen me ndarjen përfundimtare dhe krijimin e partisë së re Socialdemokrate që po përflitet qysh moti. Për Express kanë folur dy deputetë të cilët figurojnë në listën e personave të radhitur në krahun e Dardan Molliqajt, e që tashmë kanë dhënë dorëheqje edhe nga VV-ja.

Disa nga personat që kanë krijuar Vetëvendosjen dhe me të cilat ajo është identifikuar ndër vite po përflitet se janë bindur që nuk ka asnjë mundësi që të rikthehen në partinë e ‘babës’, Albin Kurtit.

Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, Dukagjin Gorani, Aida Dërguti, Shqipe Pantina, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Driton Çaushi dhe Donika Kadaj, figurojnë në listën e publikuar në media dhe që kanë bërë kërkesë për grup të ri parlamentar.

E deputetët ende nuk janë të gatshëm të deklarohen për këtë ndarje, duke lënë në mëdyshje nëse një gjë e tillë do të ndodhë së shpejti.

Deputetja e VV’së, Shqipe Pantina i tha Gazetës Express fillimisht se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, e pastaj se nuk do të komentojë për këtë rast, e mandej as nuk thotë po as jo, duke shtuar se është diçka për të cilën ajo nuk preferon të flasë.

“Nuk është e vërtetë, nuk du me komentu, as nuk po tham po as jo, është diçka për të cilën nuk dua të flas”, deklaroi Pantina.

Ajo ka bërë të ditur se nëse së shpejti ka diçka të re, grupi i deputetëve do të flasin në publik, mirëpo, momentalisht nuk ka diçka të tillë.

“Kur do që të bëhet ose kur do që ta ka diçka do të bëjmë publike menjëherë”, përfundoi ajo.

I kontaktuar nga Express edhe deputeti tjetër që është në listë, Driton Çaushi tha se momentalisht nuk është i gatshëm të komentojë për asnjë temë që po përflitet në media, e as për temën e ndarjes.

Për Express këtë temë e ka komentuar edhe deputeti Faton Topalli.

Njëjtë si kolegia e tij Pantina, deputeti Topalli deklaroi se një gjë e tillë edhe mund të ketë ndodhur, mirëpo, ai nuk është njoftuar ende.

“Nuk mund të them po ose jo. Kjo edhe mund të ketë ndodhur. Por, unë nuk e di. Zyrtarisht nuk jam njoftuar ende. Por, kjo edhe do të ndodh ose mund të ketë ndodhur” , deklaroi ai.

Në anën tjetër, në administratën e Kuvendit nuk është dorëzuar ende ndonjë kërkesë nga grupi të dorëhequrve.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi tha Gazetës Express se nuk ka asnjë gjë zyrtare deri më tani.

“Lidhur me çështjen e ngritur, në administratë nuk kemi pranuar kërkesë për grup të ri parlamentar. Deri më tash s’ka asnjë kërkesë zyrtare apo diçka për ndarjen e këtij grupi”, përfundoi ai.

Mëdyshja e deputetëve kur pyeten për këtë temë mund të jetë vetëm njëra nga shenjat e para se në realitet një gjë e tillë mund të ndodhë së shpejti.

Nëse kjo ndodh Vetëvendosje e Kurtit do të mbetet me vetëm 22 deputetë në Kuvend, duke humbur kështu primatin e grupit më të madh parlamentar.

E ata që janë edhe kundërshtarët më të madh të kryetarit të tashëm që ka kjo parti, Dardan Molliqaj e Visar Ymeri ka kohë që ju kanë ikur deklarimeve nëpër media./Express/