Aktuale

Krasniqi: Siguria e ushqimeve, prioritet për Ministrinë e Bujqësisë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), mbajtën konferencë me temën “Standardet e sigurisë dhe cilësisë ushqimore dhe bujqësisë organike”.

Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi tha se  e rëndësishme për një produkt që ta gjej tregun është cilësia e tij dhe siguria.

Ai tha se marrëveshja e MSA-së  ka hapur një kapitull si një mundësi për eksportin e prodhimeve të vendit.

Po ashtu ai tha se për Qeverinë e Kosovës dhe për Ministrinë e Bujqësisë siguria e ushqimeve është një prioritet.

Një prej nismave, sipas Krasniqit  është certifikimi i 523 fermave të mjedrës.

Siç tha ai certifikimi është shumë i rëndësishëm dhe nuk duhet të shihet si një barrë por një avancim i  këtyre kompanive.

Krasniqi bëri të ditur se viteve të fundit është bërë një  përkrahje më e madhe për bizneset.

Drejtoresha e BERZH-it në Kosovë, Elena Petrovska, tha se bujqësia luan një rol shumë të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, dhe se sipas saj ky sektor  është punësuesi më i madh në Kosovë.

Petrovska tha se bujqësia dhe produktet e ushqimeve ende nuk kanë arritur kualitetin që të konkurrojnë në tregun e brendshëm dhe të jashtëm.

Ndërsa, Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv AVUK, tha se industria e ushqimeve në Kosovë ka përparuar dhe është duke u bërë konkurrente edhe me produktet e vendeve të tjera./KosovaPress/