Rajon & Botë

Kremlini mund t’i kundërpërgjigjet SHBA-së për dëbimin e diplomatëve rusë

Rusia mund të hakmerret ndaj Shteteve të Bashkuara për dëbimin e 35 diplomatëve rusë nga ish-administrata e Obama-s, për të cilët thuhej se ishin spiunë, tha një ndihmës i lartë i Kremlinit të premten.

Moska gjithashtu është duke pritur kthimin e dy lëndëve diplomatike të kapura në Shtetet e Bashkuara gjatë të njëjtit skandal të spiunazhit, tha Yuri Ushakov, një ndihmës i politikës së jashtme të Kremlinit.

“Ne jemi duke pritur për kthimin e pronës diplomatike ruse të bllokuar në mënyrë të paligjshme para vitit të ri nga autoritetet e mëparshme të SHBA-së”, tha Ushakov në një konferencë për shtyp.

“Ne vendosëm të mos reagojmë menjëherë në këtë aventurë, por askush nuk ka hequr ende parimin e reciprocitetit në diplomaci … Durimi ynë ka kufij,” tha ai, duke shtuar se hakmarrja ruse nuk mund të përjashtohet.

“Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka ngritur këtë çështje gjatë vizitës së tij në Washington këtë javë”, tha ai.

Barack Obama urdhëroi dëbimin e 35 rusëve në fund të dhjetorit dhe vuri sanksione ndaj dy agjencive të inteligjencës ruse mbi përfshirjen e tyre në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të vitit të kaluar në SHBA.

Presidenti rus Putin në atë kohë pati deklaruar se nuk do të kundërpërgjigjet menjëherë dhe para se të vendos çfarë veprimesh të ndërmarrë, do të presë derisa Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump të marrë detyrën.

Ushakov tha se një takim mes Putinit dhe Trump mund të ndodhë gjatë samitit të G20 në Hamburg të Gjermanisë në korrik dhe se është me rëndësi që takimi i tyre të sjell rezultate të qarta./KosovaPress/

the authorE B