Opinione

Kriminalizimi i zoofilisë

Shkruan: Lulzim Tafa

Duhet t’iu dalim në mbrojtje kafshëve të cilat biologjikisht nuk kanë aftësi ta mbrojnë veten nga njerëzit për shkak të konstruktit të tyre trupor dhe po ashtu Kosova do të jepte një shembull të mirë në rajon e Evropë dhe më gjerë se si i merr në mbrojtje kafshët nga abuzuesit potencial seksualë të kafshëve, që për fat të keq, nuk janë pak.

Zoofilia përkufizohet si preferencë apo marrëdhënie seksuale e njerëzve me kafshët. Njerëzit që kanë prirje të tilla shkenca i njeh si Zoofilë. Në literaturë ky fenomen mund të haset edhe me termin Sodomi.

Ky fenomen hyn në domenin e perversiteteve seksuale të njeriut. Referuar në përgjithësi me “marrëdhenie seksuale” nënkuptohet marrja dhe dhënia e shërbimit apo kënaqësisë seksuale me pëlqimin e marrë-dhënësve, që në aspektin juridik-penal nëse nuk ekziston pëlqimi i ndërsjellë, konsiderohet se është kryer pa dëshirën e njërës palë, e që i bie se palës tjetër i është cenuar integriteti seksual, natyrisht duke iu referuar Kodit Penal të Kosovës, respektivisht Grupit të Veprave Penale Kundër integritetit Seksual (te njerëzit natyrisht). Pra, përgjithësisht, nëse nuk ekziston pëlqimi i dyanshëm për këto marrëdhënie, atëherë konsiderohet se është kryer vepër penale.

Natyrisht se shteti dhe shoqëria kanë qenë të detyruar që marrë-dhëniet e tilla t’ i rregullojnë me ligj, por që, për fat të keq, disa shtete nuk kanë gjetur kurajon që këtë ta bëjnë edhe për kafshët. Ç’është e vërteta në Kodin Penal të Kosovës nuk kemi dispozitë që na mbronë as nga nekrofilia (marrëdhënia seksuale me kufomën). Edhe pse nekrofilia nuk është temë e trajtimit në këtë shkrim, konsideroj që është detyrë e legjislacionit Penal të secilit vend, në këtë rast edhe e legjislacionit penal të Kosovës të sigurojë mbrojtje juridike-penale ndaj çdo domeni e ndaj çdokujt që mund të jetë atak i mundshëm i abuzueseve, në këtë rast i abuzuesve seksual të kafshëve.

Shtete të ndryshme kanë ligje të ndryshme për ta trajtuar zoofilinë-sodominë. Për shembull Kodi Penal i Gjermanisë deri në vitin 1969 e kishte të inkriminuar si vepër penale zoofilinë, por ajo ishte dekriminalizuar me ndryshimet legjislative të mëvonshme. Sipas asaj që lexojmë sot, në Gjermani rrjete të ndryshme të organizatave për mbrojtjen e kafshëve po lobojnë me të madhe që zoofilia sërish të rikthehet aty ku ka qenë, pra në Kodin Penal të Shtetit Gjerman, derisa sipas vlerësimeve numër jo i vogël i njerëzve në botë është me prirje zoofilie, madje deri në atë masë sa që në Gjermani është themeluar edhe një shoqatë zoofilësh. Kurse në Serbinë fqinje, mbase është krijuar edhe një “kopsht erotik” me kafshë, në formën e “shtëpisë publike” për njerëz, e të cilën e frekuentojnë zoofilë nga Evropa e më gjerë.

Me zoofilinë si “mala formim” merren disa disiplina shkencore si psikiatria, psikologjia, seksologjia, antrozoologjia, etj.. Por ajo që duhet të merret më shumë e që nuk po merret, apo nuk po merret mjaftueshëm është kriminologjia.

Tani kur është në draftim Kodi i ri Penal i Kosovës, duhet ndërhyrja e së Drejtës Penale, pra e legjislacionit penal, që edhe në Kosovë të kriminalizohet zoofilia, duke e kualifikuar si vepër penale “Abuzimin seksual me kafshë”, duke paraparë edhe sanksion penal për të. Është detyrë e jona si shoqëri e si humanistë që të insistojmë që ky fenomen të kriminalizohet duke u përfshirë në Kodin e ri Penal të Kosovës.

Zoofila ka qenë edhe në të kaluarën e ndaluar dhe në shumë shtete e sanksionuar si vepër e ndaluar. Në disa kultura ajo dënohej me vdekje. Madje edhe sodomia-zoofilia emërtimin e ka marrë nga qyteti biblik Sodoma, që legjenda thotë se u shkatërrua si ndëshkim nga ana e Zotit për shthurjen morale dhe të mëkatit të banorëve të saj. Kodi Penal i Kosovës në kapitullin e XX të emërtuar si “Veprat Penale kundër integritetit seksual”, nga Neni 228 e deri me Nenin 243 ka paraparë disa vepra ku sigorohet mbrojtje mjaft e mirë penale kundër abuzuesve të ndryshëm seksual të njerëzve, por me asnjë dispozitë nuk e ka inkriminuar abuzimin seksual të njerëzve ndaj kafshëve. Po ashtu Kodi ynë Penal edhe pse e ka një kapitull me nje emërtim sado të çakorduar (Kapitulli i XXVIII) “Veprat Penale Kundër mjedisit, kafshëve, bimëve dhe objekteve kulturore”, nga neni 347-364 ka paraparë vepra penale ku objekt të mbrojtjes janë kafshët, përsëri as në këtë kapitull nuk gjendet asnjë dispozitë që siguron mbrojtjen e kafshëve nga abuzimi seksual.

Natyrisht se e gjithë bota duhet ta ndjekë shembullin e një Gjykate në Pensilvani të SHBA-së, ku para pak kohe një zoofili i shqiptoi dënimin me dy vjet burgim si dhe një dënim të lartë me gjobë për shkak të abuzimit seksual me kafshë, por natyrisht se për të pasë mundësi që të shqiptohet një sanksion penal, ajo vepër më parë duhet të inkriminohet. Tani kur Kodi Penal është në draftim, mendoj se është një moment shumë i duhur që zoofilia (natyrisht edhe nekrofilia) të inkriminohet në Kodin Penal të Kosovës si vepër penale dhe për këtë të përcaktohet edhe sanksioni penal apo dënimi. Me këtë inkriminim ne do t’u dilnim në mbrojtje kafshëve të cilat biologjikisht nuk kanë aftësi ta mbrojnë veten nga ky atakim nga njerëzit për shkak të konstruktit të tyre trupor dhe po ashtu Kosova do të jepte një shembull të mirë në rajon e Evropë dhe më gjerë se si i merr në mbrojtje kafshët nga abuzuesit potencial seksual të kafshëve, që për fat të keq, nuk janë pak.

(Autori është Profesor i së Drejtës Penale)