Rajon & Botë

Kryediplomati francez: Jemi në rrugë të duhur për ribashkimin e Qipros

Ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Marc Ayrault theksoi se zgjidhja për ribashkimin e Qipros ishte në rrugën e duhur, gjatë takimit që zhvilloi sot me presidentin, Prokopis Pavlopulos.

“Qipro, ja një shembull i mirë që evropianët mund të kontribuojnë për ta zgjidhur në përputhje me vlerat tona, me të drejtën evropiane”, konfirmoi kreu i diplomacisë franceze, në një turne në rajon që e nisi të dielën në Ankara dhe do të përfundojë në Qipro.

“Ne jemi në rrugën e duhur. Në çdo rast, shpresoj që sa më shpejt ne do të mund të njoftojmë më në fund se kemi zgjidhur së bashku çështjen qipriote”, shtoi Ayrault.

Presidenti grek nënvizoi nga ana e tij se marrëveshja për ribashkimin, që vazhdon të jetë e bllokuar për një sërë mosmarrëveshjesh, duhet të respektojë plotësisht të drejtën ndërkombëtare dhe evropiane, transmeton atsh.

Kjo përjashton në mënyrë të veçantë mbajtjen e trupave të huaja në ishullin e mesdheut, ndarë prej vitit 1974 në pjesën veriore nga Turqia në reagim të një grushti shteti që parashikonte aneksimin e Qipros nga Greqia.

Duke marrë parasysh numrin e bisedimeve të brendshme, presidenti i Republikës së Qipros, Nicos Anastasiades dhe drejtuesi qiprioto-turk, Mustafa Akinci, negociojnë që prej muajit maj 2015 nën drejtimin e OKB-së për ribashkimin e Qipros.