Rajon & Botë

Kryeministri kirgiz jep dorëheqjen në kuadër të zgjedhjeve presidenciale

Kryeministri kirgiz, Sooronbai Jeenbekov dha sot dorëheqjen në kuadër të zgjedhjeve presidenciale parashikuar në tetor në këtë vend të varfër të Azisë qendrore.

“Jap dorëheqjen për shkak të kandidaturës time në zgjedhjet presidenciale. Nuk kam të drejtë morale të qëndroj në këtë post”, deklaroi ai në një fjalim në parlament, transmetuar nga stacioni televiziv shtetëror KTR.

Dorëheqja e Sooronbai Jeenbekov, 58vjeç, u pranua nga presidenti kirgiz, Almazbek Atambaïev.

Kushtetuta kirgize nuk e detyron kryeministrin kandidat për zgjedhjet presidenciale të japë dorëheqjen.

Jeenbekov, i cili e mbante këtë post që prej muajit prill 2016, është kandidat i Partisë Social-Demokrate të Kirgistanit, linja e të cilit është e afërt me atë të presidentit në ikje.