Aktuale

Kryeministri me alternativa për zgjidhjen e krizës së ujit në Gjilan

Komuna e Gjilanit po përballet me mungesë të ujit të pijës.

Tashmë atje është shpallur gjendje emergjente për shfrytëzimin e ujit të pijshëm.

Nga 30 metra, sa ishte niveli i ujit në Pendën e Përlepnicës së Gjilanit, prej nga furnizohen me ujë qytetarët, tani këtu niveli ka rënë në 16 metra.

Nëse vazhdon moti i nxehtë dhe nuk ka të reshura, rreziku është që niveli i ujit të bie edhe më poshtë.

Për këtë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar zëvendësmininistrin e Infrastrukturës, Rexhep Kadriun, ku është diskutuar për modalitetet e tejkalimit të situatës emergjente me ujin e pijshëm për qytetin e Gjilanit.

Për këtë situatë Haradinaj, ka ofruar dy alternativa për zgjidhjen e kësaj situate.

“Qeveria e vendit me marrjen e mandatit ka investuar në rindërtimin e Pendës së Përlepnicës, rrjetin shpërndarës si dhe impiantin e ujërave të zeza dhe do të vazhdojë të jetë e fokusuar për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme sa i përket ujit të pijes për komunën e Gjilanit. Për furnizimin e rregullt të qytetarëve me ujë të pijes, ekzistojnë dy alternativa, investimin në mbushjen e ujëmbledhësit të Përlepnicës nga lumi Krivareka ose nga lumi Llapushnik”, ka thënë Haradinaj në një takim që pati me zëvendësministrin e Infrastrukturës Rexhep Kadriu.