Aktuale

Kryesia e Kuvendit nuk arrin të marrë vendime në mungesë kuorumi

Kryesia e Kuvendit ka dështuar të caktojë seancën e ardhshme plenare në mungesë kuorumi. Partitë pozitë dhe opozitë janë përplasur rreth caktimit të ditës për vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga LDK-ja, me 40 nënshkrime, por që ishte ndërprerë, pasi në seancë nuk ishte kabineti qeveritar dhe deputetët e pozitës.

Opozita akuzoi pushtetin se po ua marrin një të drejtë kushtetuese duke mos e caktuar seancën kurdo që e thirr opozita në anë të 40 nënshkrimeve, por duan që këtë kompetencë t’ia lënë kryesisë që të vendosë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, akuzoi partitë opozitare se kishin përgatitur një skenar për ta bllokuar punën e Kuvendit, porse nuk do të ketë bllokim.

Veseli paralajmëroi se shumë shpejt do të ketë mbledhje tjetër të kryesisë dhe do të caktohet seanca e radhës në të cilën do të diskutohet për programin qeverisës të Qeverisë.

“Gjatë gjithë kohës sa ishim në mbledhje të kryesisë nuk pat mirëkuptim që të kemi konsensus. Unë e di që kolegët e mi para meje si ata të pozitës, si ata të opozitës, si kryetar i Kuvendit e respektoj rregulloren që t’ua jap fjalën të gjithëve, ndërsa vendimmarrjen ta kemi me konsensus. Por këtë herë kolegët e opozitës e kishin ndarë mendjen qysh para se me ardh që në një mënyrë të bllokonin punimet e Kuvendit. E mira do të ishte të kishim konsensus por bllokadë nuk mund të ketë, pasi po që se kolegët e kryesisë do të ishin të gjithë nuk do të kishim një situatë pa vendimmarrje sot”, tha Veseli.

Kreu i legjislativit shtoi se ka mirëkuptim për të vazhduar seancën, porse mënyra e imponimit nuk është korrekte, ani pse për konsum elektoral mund të sjellë përfitime segmenteve të caktuara.

Fushatë elektorale deklarimet e sotme të opozitës i kanë quajtur edhe shefat e grupeve parlamentare të partive në pushtet.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se opozita sot kishte shkuar në mbledhjen e kryesisë duke kërkuar vazhdimin e seancës për të hënën, duke u parë se nuk donin seancë, por shihej qartë se ishin nën ethet e fushatës zgjedhore, një ditë para se ajo të fillojë.

“Më vjen keq që ata ishin nën ethet e fushatës parazgjedhore, e cila fillon nesër. Ne patëm një mbledhje jashtëzakonisht të mirë që do të shihet edhe në transkript me një atmosferë krejtësisht korrekte dhe normale të bashkëpunimit dhe për një moment me kërkesën e LDK-së për vazhdimin e seancës, aty një skenar i parapërgatitur doli në pah për çka na vjen shumë keq sepse konsiderojmë që Kuvendi i Kosovës, veçanërisht Kryesia e Kuvendit nuk duhet në asnjë mënyrë të bëhet subjekt i çështjeve që lidhen me fushatën lokale, e cila fillon zyrtarisht nesër. Kërkesa e LDK-së për seancë të jashtëzakonshme është respektuar qind për qind, bazuar në rregullore. Kjo seancë është mbajtur, por për shkak të pamundësisë së tyre që të kenë kuorum me kërkesë të tyre është ndërprerë dhe në momentin që kjo seancë është ndërprerë, nga interpretimi i eksperteve dhe juristëve të rregullores, vlen rregullat e njëj ta, që kryesia vendos për vazhdimin”, tha Krasniqi.

Edhe shefi i deputetëve të AAK-së, Ahmet Isufi, e quajti fushatë elektorale reagimin e opozitës.

“Po e shihni të gjithë se fushata veç ka filluar pikërisht me reagimin e sotëm të opozitës. Kërkesa e dedikuar më herët që të mbahet seanca e jashtëzakonshme është dorëzuar në Kuvend, është thirr mbledhja, madje nuk kanë qenë as deputetët e opozitës që të mbahet ajo mbledhje dhe është ndërprerë. Kishte mirëkuptim që të vazhdojë seanca e jashtëzakonshme në javën e ardhshme, por kushti i propozuesit ishte të hënën, derisa kërkohej konsensusi. Ne i propozuam që të enjten të vazhdoj seanca e jashtëzakonshme, por ata nuk pranuan dhe në njërën anë kërkon kompromis në tjetrën anë nuk pranonin propozimin tonë dhe mbledhja u ndërpre dhe ky është treguesi më i mirë se fushata është paralajmëruar”, theksoi Isufi.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Nisma për Kosovën, Bilall Sherifi, tha se askush nuk po e konteston të drejtën e opozitës për seancë të jashtëzakonshme, porse atë e quajti në funksion të propagandës.

“Mendoj që kjo seancë edhe kur është thirr, është thirr e jashtëzakonshme dhe ka pasur për qëllim kryesisht atë propagandën dhe edhe vazhdimi është në funksion të propagandës. Askush nuk po e konteston të drejtën që opozita të vazhdoj këtë seancë. E tëra që ndodhi sot ishte mospajtimi për ditën se kur të thirret kjo seancë”, tha Sherifi.

Mirëpo, ndryshe mendojnë përfaqësuesit e opozitës. Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se pushteti po dëshiron t’ia marrë opozitës një të drejtë kushtetuese dhe të përcaktuar me rregullore, thirrjen e seancave të jashtëzakonshme përmes 40 nënshkrimeve.

Madje akuzoi kreun e Kuvendit Kadri Veseli se ka shkelur rregulloren me mos thirrjen e mbledhjes së kryesisë të hënën e kaluar për të caktuar vazhdimin e seancës për të martën e javës që shkoi.

“Ne kërkuam që ajo seancë të vazhdonte të martën e kaluar, por Veseli shkeli rregulloren sepse nuk thirri mbledhje të kryesisë. Mbledhja e kryesisë do duhej të thirrej për të hënën që të vendoste që seanca të vazhdonte të martën, pra Kadri Veseli shkeli rregulloren dhe ia thashë këtu brenda, ai nuk u pajtua. Përkundrazi ai thoshte se kjo e drejtë t’i kalojë kryesisë, që ajo me shumicë të votash ta vendosë se kur duhet të mbahet një seancë e jashtëzakonshme. Unë e interpretova këtë si një precedent të rrezikshëm të shkeljes së demokracisë dhe përpjekje për t’ia marrë opozitës instrumentin me të rëndësishëm që ajo e ka në dorë e që ia garanton edhe kushtetuta edhe rregullorja, e që është e drejta që me 40 nënshkrime të thërras seancë, dhe seanca të mbahet jo kur donë kryetari, as kur donë shumica e pushtetit, por kur duan ata që e kanë thirr. Në këtë pikë nuk mund të bëjmë kompromis”, theksoi Konjufca.

Konjufca ka paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatën Kushtetuese, duke u shprehur i bindur se Kushtetuesja do ta interpretonte të drejtën e seancës së jashtëzakonshme si të drejtë të 40 nënshkruesve, e jo si të drejtë as të kryetarit as vendosjes me vota në kryesi.

Edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, theksoi se kryesia shkeli një praktikë që ka ekzistuar me vite në Kuvend.

“Sot në Kryesinë e Kuvendit u shkel një praktikë që ka ekzistuar tash e sa vite në Kuvendin e Kosovës që seanca e jashtëzakonshme mbahet kur thirr propozuesi që është LDK e mbështetur nga Vetëvendosje dhe si rezultat u ndërpre mbledhja e kryesisë në mungesë të kuorumit. Nuk mund të shkohet me caktimin e seancës së rregullt të Kuvendit, sepse sot kjo shumicë nuk i ka votat e nevojshme as në kryesi, as në seancë për të marrë asnjë vendim. Për ligjin ose vendimin me të vogël këta do të kenë nevojë për votat e opozitës. Sot u tregua se kush është shumicë në institucionet e Kosovës”, tha Hoti.

Edhe Hoti paralajmëroi se do t’i shqyrtojnë të gjitha mundësitë ligjore dhe kushtetuese për këtë çështje.

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme ka ndarë edhe komisionet parlamentare, ku Lëvizja Vetëvendosja do t’i drejtojë katër komisione, PDK tri komisione, LDK tri komisione, ndërsa të tjerat AAK, Nisma, Lista Serbe dhe Grupi Gjashtë Plus do ta drejtojnë nga një komision parlamentar. Edhe në këtë legjislaturë do të jenë gjithsej 14 komisione. /kp