Arsim & Kulturë

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, mbajti ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB

“Ditë më parë u mbush një vit që nga emërimi im në postin e kryetarit të Komunës së Ulqinit dhe të jesh në krye të një komune, të një qyteti të lashtë 2500 vjeçar, është nder por edhe sfidë duke e pasur gjithmonë mbi shpinë barrën për të përmbushur pritshmërinë e qytetarëve të Ulqinit”, kështu e nisi takimin e sotëm me studentë në Kolegjin AAB, kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Loro Nrekiq.

Kryetari ulqinak, takoi në Kolegjin AAB studentët shqiptarë nga Mali i Zi, por edhe studentët e tjerë të AAB-së në kuadër të ligjëratave për qeverisjen lokale në Kosovë dhe rajon.

Ai u shpreh se në Ulqin, udhëheqja e kësaj komune përbëhet nga 5 parti politike, duke shtuar se kryetari i komunës është autoritet kryesor i ekzekutivit. Kryetari ka kompetencat ekzekutive në komunë, pastaj kryetari krijon politika, organizon dhe udhëheq punën si dhe menaxhon dhe mbikëqyr punën e komunës.

Tutje, kryetari Loro Nrekiq shtoi se qeverisja lokale në Mal të Zi është e barazuar në parimet e qeverisjes së mirë të transparencës, duke u kushtuar kujdes të veçantë nevojave të qytetarëve.

“Ne si pushtet vendor, në Ulqin i kemi vënë detyrë vetes që përherë të jemi në dispozicion të qytetarëve dhe administrata të jetë sa më efikase, organet lokale të komunës së Ulqinit, janë sekretariatet, shërbimet profesionale dhe të veçanta”, u shpreh kryetari Nrekiq.

Në këtë ligjëratë, kryetari i Ulqinit, para studentëve të Kolegjit AAB theksoi se dega kryesore ekonomike në Ulqin është padyshim turizmi, me qëllim që të zhvillohet edhe më shumë komuna në këtë aspekt.

“Dega kryesore ekonomike e Ulqinit është turizmi dhe ne po bëjmë shumë që të thithim investitorë, që të investojnë në hotele me 5 yje dhe shpresojmë që shumë shpejt kjo do të bëhet realitet pasi që interesimi i të huajve nuk mungon”, tha Nrekiq

Në këtë debat pati edhe shumë pyetje nga studentët, të cilave iu përgjigj kryetari i Ulqinit, Loro Nrekiq.