Aktuale

Kryetari i Mitrovicës thotë se Kosova shpëtoi nga destalizimi me ndaljen e trenit serb

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, përmes një komunikate ka dhënë mbështetjen e tij për masat e ndërmarra dje nga institucionet e Republikës së Kosovës në lidhje me trenin.

“Në emrin tim personal dhe në emër të qytetarëve të komunës së Mitrovicës përshëndes aksionin ligjor dhe kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës për të mos lejuar hyrjen në vendin tonë të trenit serb, me të cilin qeveria e Beogradit kishte për qëllim të provokojë dhe nxisë tensione e madje edhe konflikte në shtetin e Kosovës”, thotë kryetari Bahtiri.

Sipas tij, me ndërmarrjen e këtij aksioni të domosdoshëm dhe të arsyeshëm, institucionet e shtetit të Kosovës dhe drejtuesit e tyre ishin në nivelin e duhur të të ushtruarit të përgjegjësive që kanë në mbrojtje të sovranitetit dhe mos lejimin e cenimit nga askush të hapësirës territoriale të Republikës së Kosovës, prandaj edhe meritojnë mirënjohje për reagimin e tyre të mençur, ligjor dhe kushtetues ndaj provokimit të hapur të Qeverisë së Serbisë, sepse me këtë janë shmangur tensionet dhe destabilizimi i vendit.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, po ashtu reagon dhe i dënon ashpër deklaratat e disa liderëve institucionalë të serbëve të Kosovës dhe ato të drejtuesve të strukturave paralele joligjore serbe, në një tubim të mbajtur sot në veri të Mitrovicës.

“Fatkeqësisht, disa liderë të serbëve të Kosovës që mbajnë pozita të lartë në institucionet e vendit dhe disa drejtues ekstremistë të strukturave paralele joligjore serbe, në vend që të mbështesin aksionet legale dhe legjitime të institucioneve të Republikës së Kosovës që kanë për qëllim mbrojtjen e sovranitetit të shtetit në të cilin jetojnë, ndërsa që kanë të drejta si asnjë pakicë tjetër në botë, kërcënuan sot me fjalimet e tyre të pamatura e provokuese stabilitetin dhe paqen në Kosovë, nëse këto institucione vazhdojnë të bëjnë punën e tyre ligjore dhe kushtetuese. Kjo është e papranueshme”, thotë ai.

Kryetari Bahtiri thotë në vazhdim se ky është momenti i duhur që serbët e Kosovës të reflektojnë, që duke refuzuar kërkesat për destabilizimin e shtetit të Kosovës që vijnë nga Beogradi, të angazhohen bashkë me fqinjët e tyre shqiptarë dhe të tjerët, për ndërtimin e institucioneve demokratike në Republikën e Kosovës dhe zhvillimin e saj ekonomik dhe për një jetë akoma më të mirë për të gjithë në paqe e liri.