Aktuale

Kryetari i PDK-së demanton Qeverinë: Papunësia problemi më i madh i Shtetit

Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli po vazhdon të lëshojë akuza në drejtim të Qeverisë për papunësinë e madhe në Kosovë. Së fundmi, Veseli ka thënë se problemi më i madh në Kosovë është mungesa e vendeve të punës. Mirëpo, lideri i LDK’së, Isa Mustafa, kishte deklaruar kohë më parë se papunësia është në shkallën më të ulët në pesë vitet e fundit. Cili po e thotë të vërtetën – Kryetari i Parlamentit apo Kryeministri?

Derisa Veseli po lëshon akuza se Kosova ka dështuar në ekonomi, në punësim e zhvillim, Mustafa po thotë se ekonomia është rritur dhe është zvogëluar papunësia.

Këto deklarata kundërthënëse po bëhen në kohën kur pritet të shkojë demarkacioni për votim në Parlament, ku deputetë të LDK’së e PDK’së po e kundërshtojnë marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Veç kësaj, Mustafa e Veseli kanë nisur një fushatë me takime nëpër Kosovë, duke folur i pari për sukseset e Qeverisë kurse i dyti për dështimet e institucioneve të Kosovës.

Kryetari i PDK’së, njëherësh kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë sot në panairin “Prishtina 2017” se problemi më i madh në Kosovë është mungesa e vendeve të punës. Mirëpo, kështu s’ka thënë kryeministri Mustafa para katër muajve; madje Mustafa ka thënë se papunësia në Kosovë është zvogëluar dukshëm.

Ndonëse partner të koalicionit, Mustafa e Veseli nuk e shohin njëjtë zhvillimin ekonomik të vendit dhe papunësinë.

“Nuk kemi alternativë tjetër e as që do të kërkojmë. Veprimtaria prodhuese do të jetë fokusi i imi politik dhe i angazhimit tim politik. Do të angazhohemi aty ku janë rezultatet e para, siç është bujqësia dhe do të shfrytëzojmë të gjitha resurset tona natyrore”, theksoi kreu i Kuvendit të Kosovës.

Derisa kryeministri Isa Mustafa, katër muaj më parë kishte thënë se shkalla e papunësisë në Kosovë është më e ulëta në pesë vitet e fundit, me 26.2 për qind.

Mustafa ka thënë se këto rezultate ishin të dala nga Anketa e Fuqisë Punëtore, për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, të kryer nga Agjensioni i Statistikave të Kosovës, i kumtuar nga ministri Abrashi.

“Trendi i mirë i uljes së papunësisë është rezultat i rritjes reale ekonomike”, kishte shkruar Mustafa në Facebook, por kështu nuk mendon edhe kryetari i PDK’së, njëherësh edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Ne nuk kemi pse të merremi me politikë nëse nuk e kemi në fokus atë që është problem i qytetarëve, që është papunësia. Ne nuk kemi pse të bëjmë politikë nëse se kemi në fokus forcimin e shtetit, e forcimi i shtetit mund të bëhet vetëm përmes ligjshmërisë dhe të njëjtën kohë zhvillimit ekonomik. Ky do të jetë fokusi im”, tha kryeparlamentari Veseli.

Ai tha se angazhimi politik i njerëzve nënkupton të qënurit në shërbim të qytetarëve dhe zgjidhjen e problemeve kyçe të tyre, e që aktualisht është papunësia./GazetaExpress/