Opinione

Kujtimet e përjetësuara në poezi

Shkruan: Bujar Tafa

Autor i dhjetëra librave me poezi e publicistikë, i përkthyer në shumë gjuhë dhe në shumë vende të botës, madje edhe në vendet e largëta si në Indi, Kinë e gjetiu, Jeton Kelmendi tashmë është bërë emër i njohur, jo vetëm në poezinë shqipe në përgjithësi, por edhe më gjerë.

Janë disa shenja në poezitë e Jeton Kelmendit që fuqishëm e theksojnë individualitetin e tij si krijues. Si një poet që një pjesë të jetës e kaloi në mërgim, te ky poet vërehet se, në radhë të parë është vendlindja ajo që e zë një pjesë të madhe të motiveve të poezive të tij. Prej vendlindjes ai e zgjeron gjeografinë duke u bërë vend në poezitë e tij edhe trevave tjera shqiptare, duke u nisur nga Rugova si trevë emblematike e atdheut, ( Jeton Kelmendi e ka origjinën nga aty dhe natyrshëm që ka lidhje emocionale me atë trevë) për të shkuar pastaj në vise tjera shqiptare deri në Çamëri si pjesë e trungut shqiptar. Emocionet që ngjallë vendlindja në këto poezi kalojnë nga ndjenja që ka poeti për vendlindjen si shtëpi, si vend ku është lindur dhe rritur, deri te atdheu në përgjithësi si ndjenjë e atdhedashurisë.

Libri me poezi Rrugëtim nga vetvetja fillon me poezinë me të njëjtin titull Rrugëtim nga vetvetja, në të cilën poezi, shëmbëllyeshëm titullit, poeti tërë rrëfimin poetik e orienton kah vetvetja, kah rikthimi në vetvete pas një rrugëtimi të gjatë:

M ‘përftoj një Zanë mali

I frikësuar tek po i afroheshim

Njeri tjetrit

E luta

Mos m ‘shito

Në poezinë Peja në pesë të mëngjesit poeti shkruan për vdekjen e prindit. Kjo poezi për shkak të temës së ndjeshme, ta ofron më për së afërmin ndenjën dhe dhimbjen për personin që ka humbur poeti, pra dhimbja për prindin e humbur:

Tani e tutje do të kemi
Më shumë mall,
Më shumë kujtime, rrëfime
Çdo gjë më shumë,
Vetëm këshilla më pak
Sepse babë s’kemi më.

Hapësira shqiptare e ndarë dhunshëm, bëhet motiv i poetit për ta shtrirë rrëfimin e tij poetik, të mbushur plot me imagjinatë, herë duke shpalosur ngjarje të ndritshme të historisë, herë duke përkujtuar heronjtë e figura të ndryshme të historisë e kulturës shqiptare, e herë duke i përshkruar detajet e jetës së përditshme, gjithsesi me një gjuhë figurative e imagjinare, për një territor të ndarë nga trungu arbëror (poezia Dëshira ime në Çamëri)

Natyra e poetit është e tillë që varësisht rrethanave e situatave, ekzaltohet dhe emocionohet edhe nga detajet e thjeshta të realitetit ku jeton. Poeti shumë bukur i paraqet ato situata poetike të cilat pa dyshim që te lexuesi ngjallin emocione. Poezia Afromu pak është ndoshta ndër më të fuqishmet që e shpalon ndjenjën e poetit për të dashurën, për të bukurën në jetë:

Shpirtin ta shpaloj si librin
E shenjtë,
Të mësoj qysh me të dashtë
Thekshëm.

Kjo poezi karakterizohet me një stil të thjeshtë dhe shumë të natyrshëm të rrëfimit.

Te poezia Dashuri në kohë lufte, poeti shtron paralelizma në mes të atmosferës së luftës dhe situatave imagjinare të dashurisë, kuptohet duke lartësuar dashurinë dhe duke ëndërruar për ato momente të bukura të jetës.

Poezi e fuqishme është ajo poezi e cila rrjedh nga shpirti, dhe të tillën nuk është vështirë për ta parë dhe për ta kuptuar. Poezi Mall hyn në grupin e poezive në të cilat poeti të mrekullon, sa me thjeshtësinë e shprehjes po aq edhe me fuqinë e fjalës, me krijimin e asaj situate kur leximi i poezisë të përvetëson dhe të bën pjesëmarrës në përjetimin e asaj botë poetike:

Mendoj se po më ndjek pas
Udhëtimeve të gjata të mendimeve
Gjithandej mëngjeseve,
Mbrëmjeve të përmotshme.

Poeti, herë herë, brenda një poezi e shtrin rrëfimin e tij poetik në dy e më shumë linja të rrëfimit . Ai poezinë e fillon me ndjenjën e mallit për të dashurën, për ta vazhduar me mungesën e prindit, e deri te jeta prej mërgimtari, të tëra këto nën ombrellën e mallit si ndjenjë që e shqetëson poetin në vazhdimësi. Në këto raste nuk mungojnë edhe vargjet e tipit të proverbave.

çdo gjë
Që ndan mëngjesin prej natës
Përmallshëm,
Ma kujton shkuarjen e tij
Si feniks
Dhe porosinë:
“Ma mirë tri ditë njeri

Se tridhjetë seri”
Më ndjek ai mall
Që rrënjët i ka në 12 Prillin,
Degët shtrihen jetës
Sa të kem jetë.

Në përgjithësi, mendoj se kjo poezi është njëra ndër poezitë më emblematike dhe më të bukura të poetit Jeton Kelmendit në këtë përmbledhje. Është një tipar i poetit i cili ka afinitet që krahas krijimit të situatave të reja imagjinare, ai po ashtu, ka afinitete të mëdha edhe për krijimin e fjalëve të reja, si dhe, po ashtu, në një mënyrë edhe për rikuptimësime dhe rikontekstualizime të fjalorit poetik, pra poeti sikur i zgjeron më tej kuptimet e fjalëve.

Sa herë

Ta thërras emrin

Me engjëllzohën fjalët,

Engjëllushja ime

Sa herë hesht,

Flet me mimikën që më thotë

Shumë më shumë.

(poezia Mendimet e shpirtit)

Është dëshirë e poetit që para poezive të caktuara të huazojë thënie në formë citati nga autorë të njohur botëror, thënie të cilat kontekstualizohen në poezitë e caktuara të cilat poeti i shkruan në vazhdim. Në këtë mënyrë poeti sikur do që t’i fuqizojë ato motive, dhe sikur do që t’i argumentojë me po këto citate, formulimet motivore të poezive.

“Ji i marrë, por mëso si të jesh i marrë pa

Qenë në qendër të vëmendjes,

Mos u shqetëso: do të mbijetosh dhe do kesh shumë fat”.

—Paulo Coelho

Poeti Jeton Kelmendi kur shkruan për dashurinë, krahas figuracionit të pasur, përdor edhe një stil të thjeshtë për t’i theksuar disa ide e mendime për të cilat ai mendon se janë të rëndësishme dhe thelbësore për përjetimin e tij poetik:

Pushteti i të gjitha

Mrekullive

S’ka moshë.

Ajo nuk plaket,

Nuk thinjët,

Ne vijmë e shkojmë

Ajo vetëm takon e përcjell.

Dashuria ka dy jetë:

Njërën si tonën,

Tjetrën si magjia e vet

Motivet e poezive të Jeton Kelmendit janë nga më të ndryshmet, ai herë herë si pikënisje ka momente të caktuara nga historia jonë, pastaj si pikënisje ka luftërat në ish jugosllavi (Sarajeva, etj) e po ashtu edhe momente të rëndësishme të historisë së shqiptarëve, etj.

Poeti është i vetëdijshëm që koha, si një udhëtare njëdrejtimëshe që është, nuk e ndal asnjëherë rrugën e vet, e dhënë kjo që poetit ja vështirëson dhe pengon kënaqësinë për atë që është e ngrohtë dhe e bukur në jetë:

Tani

Kur dua të shkoj tutje,

Dita ka çuar n’t’sosur.

S’ka kohë më!

Për ritet flasim një herë tjetër.

Në raste të ndryshme poeti rrëfimit të tij poetik i jep nuanca të theksuara filozofike (poezia Me arsye), kuptohet duke u kujdesuar që këtë rrëfim poetik mos ta shmang nga ajo që është gjuhë artistike. Në poezinë tjetër (Zoti i tha njeriut) poeti të duket sikur rrëfen nën vellon e rrëfimeve hyjnore. Pra kemi një, si të thuash, afri ndërmjet rrëfimit hyjnor dhe rrëfimit “tokësor”. Duket se është kështu sepse poeti në këtë mënyrë, me këtë stil të rrëfimit poetik, sikur do që ta fuqizojë edhe më shumë rrëfimin e tij, sikur do që përmes atij rrëfimi t’i jap edhe vulë hyjnore mendimit të tij për njeriun dhe jetën në përgjithësi.

Poeti ndonjëherë është në kërkim të asaj që realisht nuk ekziston por që, poeti e ndjen që do të ndodh, pra është në kërkim të gjerave në perspektivë. Për këtë arsye ai është i vetëdijshëm dhe shprehet me këto vargje:

Të lumet ato fjalë

Që s’i njohim;

Akoma na presin për t’u zbuluar.

Si dikujt-dikujt i flasin edhe heshtjet

Gjuha e Perëndisë me yjet.

Në përgjithësi, poezia e Jeton Kelmendit është si një ditar i shkruar me mall e nostalgji. Në faqet e atij ditari poeti, përmes vargjeve, i përjetëson kujtimet e tij për vendlindjen, për atdheun e për njerëzit e dashur të tij.