Aktuale

“Kullat e Jasharajve” në prag të rrëzimit

Sipas Ligjit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, Këshilli Ndërministror do të vendosë për hartimin e një projekti të përgjithshëm. E, në atë projekt parashihet ndërtimi i amfiteatrit, ndërtimi i muzeut, ndërtimi i shtëpisë së bandës ceremoniale, parkingu dhe disa elemente përcjellëse.

Mirëpo, këshilli po ka vështirësi për të proceduar projekte, për shkak të ekzistimit të një projekti për konservim dhe restaurim të kullave në këtë kompleks, raporton Ndertimi.info.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale (AMKM), Bislim Zogaj ka thënë për Ndërtimi.info se për projektin aktual ende nuk kanë vendosur se a do të mbetet apo jo. E, këtë do ta bëj një kompani që do ta vlerësojë atë.

“Tani për momentin jemi në një situatë, duke llogaritur se kemi një projekt për konservim dhe restaurim të Kullave të Jasharajve. Është biseduar në komision që të bëjmë vlerësimin e atij projekti se a i vlerëson kushtet apo jo për të vazhduar me konservim dhe restaurim. Tani iu kemi ofruara disa kompanive që të vijnë dhe të bëjnë vlerësimin dhe shumë shpejt një kompani profesioniste do ta bëjnë vlerësimin e projektit ekzistues, vetëm për Shtëpitë e Rezistencës. Pra, e kemi një projekt, për të cilin ne si komision, nuk guxojmë të themi se duhet të vazhdojë , por ta eliminojmë dhe të fillojmë me projekt tjetër, ka thënë Zogaj.

Sipas Zogajt, Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës i është dhënë përgjegjësia që të sjell para këshillit disa kompani që merren me konservim dhe restaurim, në mënyrë që të zgjidhen njëra prej tyre për ta bërë vlerësimin e projektit, që ka kushtuar 500 mijë euro, e i realizuar nga një kompani sllovene.

Ndertimi.info ka marrë vesh se po bëhet plan që projekti i kaluar i sllovenëve të anulohet i tëri dhe gjithçka të fillojë nga fillimi.

Se kur do të vijë koha që të fillojë puna konkrete për projektin e kompleksit, Zogaj është shprehur skeptik.

“Fatkeqësisht jam pak skeptik këtu. Projekti, pastaj edhe puna për konservim merr kohë sepse është proces që shkon ngadalë. Problemi është që na ka dal kjo pengesa, projekti ekzistues, sepse po na merr kohë derisa ta vlerësojmë. Nëse e eliminojmë këtë projekt pa ndonjë bazë të arsyeshme , nuk do të ishte mirë. Mendoj që ky kompleks duhet t’i plotësojë disa kritere që të jetë prezantues në gjenerata”, ka shtuar Zogaj.

E, derisa të vijë puna për vlerësim të projektit ekzistues, këshilli ka realizuar një udhëtim në Turqi për të marrë model për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Anëtarët e këtij këshilli kanë vizituar Komunën e Çanakalasë, si një ndër komunat me më së shumti memoriale në Turqi.

Mirëpo, drejtori i AMKM-së, ka thënë se nga kjo vizitë nuk është se ka parë ndonjë memorial projektin e të cilit do të mund ta realizonin në Prekaz. Ai, ka shtuar se krejt çka mund të merret nga memorialët atje janë disa elemente për muzeun e kompleksit.

“Realisht, mendoj që aty kemi mund të marrim elemente, por jo ndonjë projekt komplet. Muzeu ka pas disa elemente që mund t’i marrim, kurse memorialët nuk kanë pasur diçka të veçantë që do të na hynte në punë. Elementet e muzeut ishin shprehja e betejave të ndryshme përmes filmave dhe përmes disa skulpturave”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, muzeu aktual në Prekaz pothuajse nuk ekziston.

“Muzeu aktual në Prekaz pothuajse nuk ekziston. Ai, është më shumë bibliotekë, por muzeu do të duhej të ishte shumë më i madh dhe më i pajisur më shumë gjëra. Ai muze është minimal në raport me atë që ka ndodhë dhe që duhet të prezantohet”, ka shtuar ai.

Në takimin e ardhshëm anëtarët e Këshillit Ndërministror do të paraqesin rekomandimet e tyre se çka mund të merret nga memorialët e Çanakalasë dhe të përfshihen në kompleksin “Adem Jashari”.

Ndërsa, Këshilli Ndërministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” kryesohet nga zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, kurse anëtar i tij është edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, njëherësh anëtarë i familjes që ranë në kullat e Prekazit.

E gjitha ajo që kishte ndodhur dhe gjendja e kullave ishte pasqyruar në një reportazh dhe një dokumentar të Ndertimi.info në emisionin “Koha për Ndërtim”.

the authorBurbuqe Metolli