Rajon & Botë

Kurdët vrasin katër ushtarë turq

Katër ushtarë turq janë vrarë gjatë përleshjes së armatosur me anëtarët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit në juglindje të vendit, pranë kufirit me Irakun. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria turke e mbrojtjes.

Një agjenci turke e lajmeve njoftoi se kurdët e kanë sulmuar një bazë ushtarake në rajonin malor të Cukurcas, i cili është pjesë e provincës së Hakkarit. Ushtria turke u kundërpërgjigj me një operacion të gjerë kundër militantëve kurdë.

“Si pjesë e operacioneve të vazhdueshme përgjatë kufirit Turqi-Irak, dy ushtarë u vranë gjatë luftimeve me terroristët, pavarësisht të gjitha përpjekjeve për t’i shpëtuar ata”, thuhet në deklaratën e ministrisë, duke shtuar se në këto luftime u vranë gjithsej katër ushtarë dhe u plagosën gjashtë të tjerë.

“Terroristët ndodhen nën sulme të ashpra përmes operacioneve nga ajri dhe automjeteve tokësore”, u tha në këtë deklaratë.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit i ka nisur përpjekjet për autonomi të rajonit juglindor që nga viti 1984. Sidoqoftë, Turqia, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e cilësojnë këtë grup si organizatë terroriste, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

the authorBurbuqe Metolli