Aktuale

Kurti në 20 vjetorin e masakrës së Tusuzit: Kujtimet janë të freskëta dhe plagët e hapura

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me rastin e 20 vjetorit të masakrës në lagjen e Trimave në Prizren, ka thënë se kujtimet janë të freskëta, sepse plagët janë të hapura.

Ai tha se forcat serbe, para dy dekadave, përveçse vranë më të dashurit tuaj, ato edhe plaçkitën e pastaj i dogjën rreth 250 shtëpi të kësaj lagje.

Sipas tij, kriminelët të cilët e urdhëruan masakrën e Tususit dihen me emër e me mbiemër, si dhe gradat e tyre policore e ushtarake, përcjell lajmi.net.

Postimi i plotë:

Fjalimi në Tusus të Prizrenit, në 20 vjetorin e masakrës atje)

Të nderuar familjarë të martirëve dhe dëshmorëve të kombit,

Të nderuar veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

I nderuari Nënkryetar i Komunës së Prizrenit, Eshref Memaj,

I nderuari Kryesues i Kuvendit Komunal, Artan Abrashi,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Zafir Berisha, Drita Millaku, Arbër Rexhaj e Bahrim Shabani,

Të nderuar përfaqësuese e zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it,

I nderuari Zëvendës-ministër Bekteshi,

Të nderuar drejtorë të Komunës së Prizrenit dhe ju asamblistë të Kuvendit Komunal këtu,
Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër,

27 veta u vranë, më 26 maj, 20 vjet më parë. Kujtimet janë të freskëta, sepse plagët janë të hapura. Për masakrën në lagjen Tusus, ende nuk ka drejtësi, e krimi i pandëshkuar është krim i vazhdueshëm. Forcat serbe, para dy dekadave, përveçse vranë më të dashurit tuaj, ato edhe plaçkitën e pastaj i dogjën rreth 250 shtëpi të kësaj lagje. Kriminelët të cilët e urdhëruan masakrën e Tususit dihen me emër e me mbiemër, si dhe gradat e tyre policore e ushtarake.

Kroacia, një shtet po ashtu i dalë nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, e ka mundësinë ligjore për t’i gjykuar në mungesë kriminelët e luftës. Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale në Kosovë ka ngelur vetëm të votohet në lexim të dytë, mirëpo në mënyrë absurde po e vonojnë.

Pema e lirisë së Kosovës është mbjellur nga rezistencat dhe kryengritjet e popullit tonë përgjatë gjithë shekullit XX: paqësore e të armatosura, ilegale e legale. Mirëpo, kjo pemë është ujitur me gjakun e dëshmorëve dhe me djersën e punëtorëve. Pema është rritur e ka çelur, por nuk është as mirë dhe as e drejtë që lulet e pemës së lirisë të jenë për qytetarët, kurse frutat e pemës së lirisë për pushtetarët. Pra, pema e lirisë është bërë si një aromë e këndshme për popullin, të cilit i mpihen dhëmbët meqenëse s’ia japin frutat.

Të nderuar të pranishëm,

Liria pa barazinë, liria me privilegje për disa e me diskriminim për shumicën, liria që nuk është liri për të gjithë, nganjëherë nuk është liri e plotë e nganjëherë as liri e vërtetë. Martirët e dëshmorët dhanë gjithçka për popullin, të cilit ende i mungon shumëçka. Askush sot, ama bash askush, nuk ka të drejtë të flas për pajtim me Serbinë në emër të motrës së dëshmorit Selver Maqkaj, Fazile Maqkajt, e cila u dogj e gjallë brenda shtëpisë së saj e në karrocë invaliditeti.

Dëshmorët e martirët, viktimat e luftës e ata që ranë për liri, nuk i kanë asgjë borxh atdheut. Kurse, shteti ynë iu ka shumë borxh atyre, edhe për shkak se nuk ia kërkoi asnjëherë borxhin shtetit të Serbisë.

Sot, këtu, ka mjaft edhe dhembje edhe krenari. Ajo që duhet të kemi më shumë është: përgjegjësi.

Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të Tususit, të Lagjes së Trimave! Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!

Ju falemnderit. /Lajmi.net/