Aktuale

Kurti: Qeverisja e Vetëvendosjes do ta nxjerrë Kosovën nga kriza

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë gjatë një prezantimi para studentëve ndërkombëtarë nga Austria, se qeverisja e ardhshme nga Lëvizja Vetëvendosje do ta nxjerrë Kosovën nga kriza dhe do ta mundësojë e realizojë përparimin e gjithëmbarshëm, duke luftuar krimin e korrupsionin.

Kurti ka treguar se mbrëmë ka mbajtur a një prezantim para 120 studentëve ndërkombëtarë nga Austria, të cilët studiojnë të drejtat e njeriut në nivelin Master.

“Unë iu shpjegova se vizioni i Vetëvendosjes për të ardhmen e Kosovës bazohet në shtyllat mbi të cilat u ngrit edhe Bashkimi Evropian: ndërtimi i institucioneve dhe paqes përmes antifashizmit, i shtetit zhvillimor dhe drejtësisë sociale, si dhe NATO-ja si aleancë për siguri”, ka thënë Kurti.

Në këtë linjë, sipas Kurtit, Kosovës i duhet demokraci, drejtësi dhe zhvillim që të kemi paqe, stabilitet e siguri të qëndrueshëm.

“Paqja, stabiliteti dhe siguria duhet të jenë konsekuenca të shtetit tonë të drejtë e demokratik, zhvillimor e social. Me Fondin Sovran e Bankën Zhvillimore, me luftimin e krimit e të korrupsionit, me ndërlidhjen e arsimit me ekonominë, qeverisja e ardhshme nga Lëvizja Vetëvendosje do ta nxjerrë Kosovën nga kriza dhe do ta mundësojë e realizojë përparimin e gjithëmbarshëm”, është shprehur ai.

Pas prezantimit, Kurti ka treguar se me studentët kanë diskutuar për shumë çështje, veçanërisht për konceptin e ‘vetëvendosjes’ dhe kuptimin e posaçëm progresist që merr në kontekstin e vendit tonë, në atë të rezistencës kundër shtypjes, mospranimit të shfrytëzimit dhe çlirimit nga kolonializmi.

“Si e tillë, vetëvendosja është demokratike, vjen prej poshtë e lind nga populli, dhe shpreh vullnetin e tij për barazi e liri, për drejtësi dhe zhvillim.

Uroj që studentët të kalojnë mirë gjatë vizitës së tyre në Kosovë, dhe, i falënderoj për një diskutim dhe bashkëbisedim të frytshëm”, ka shkruar Kurti.