Aktuale

Kurti s’e di sa protestues dolën në shesh të shtunën

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se nuk e di se sa njerëz ishin në protestën e 29 shtatorit kundër idesë për lëvizjen e kufijve me Serbinë.

Sidoqoftë, ai ka thënë se në sheshin e Prishtinës ishin dhjetëra mijëra qytetarë.

“Nuk e dimë sa njerëz kishte në protestën e 29 shtatorit në Prishtinë, por e dimë se ishin dhjetëra e dhjetëra mijëra, s’e nuk ka fotografi që ta ketë përthekuar tërë masën, se nuk kishte vend për më shumë njerëz në Shesh dhe në Bulevardin ‘Nëna Terezë’”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka shtuar se protesta ishte madhështore dhe se gjithçka ishte kundër presidentit, të cilin ai e quan injorant.

“Protestë paqësore, masovike, madhështore. Qytetarë të ndërgjegjshëm, të përgjegjshëm, të bashkuar. Populli nuk është turmë, aq më pak i paarsyeshëm, aq më pak i dhunshëm, aq më pak i paditur. Në anën tjetër ishte një individ – iracional, i dhunshëm, injorant, aq më shumë që rastis të jetë president. S’lanë gjë pa i bërë këtij populli. E gënjyen, e fyen, e vodhën, e rrudhën. E sa i mirë, i dlirë, i dashur, i pjekur, që u shfaq. Zemrën e kam të mbushur me gëzim e sytë me shpresë. Ju falenderoj ashtu siç do t’ju shërbej – përjetësisht!” ka shkruar më tej ai.

Për dallim nga kjo protestë, në protestat e shkuara të organizuara nga opozita vazhdimisht kishte deklarata për numër të pjesëmarrësve. Në një nga to madje kishte dallim të jashtëzakonshëm mes numrave të opozitës dhe atyre të policisë, me ç’rast opozita thoshte se kishin protestuar 100 mijë qytetarë, ndërsa policia thoshte se ishin 8 mijë protestues.

the authorE B