Aktuale

Ky është njoftimi i LDK-së për kandidaturën në Prizren

Dega e Lidhjes Demokratike në Prizren ka marrë vendim për kandidimin e Hatim Baxhakut për kryetar të Komunës së Prizrenit, transmeton Express.

Në një njoftim për media, është konfirmuar propozimi për Kryetar të Komunës së Prizrenit, Hatim Baxhaku, ku thuhet se ai është besnik i secilës familjeje prizrenase.

“Qytetarë të Prizrenit, dashamirës dhe ju bashkëudhëtarë të idealit tonë të përbashkët, tanimë që po i afrohemi zgjedhjeve komunale te 22 tetorit, Dega e LDK-së në Prizren ka treguar respektin ndaj qytetarëve të saj duke ia propozuar për Kryetar komune, Dr. Hatim Baxhakun, mikun besnik të secilës familje prizrenase.

Ndërkohë, sot në mbledhjen e mbajtur në selinë qendrore të partisë, Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i përkrahur edhe nga e gjithë kryesia qëndrore e miratuan propozimin dhe vullnetin e degës së Prizrenit, për t’i dhënë besimin doktorit të nderuar Hatim Baxhakut si kandidat për të parin e Prizrenit.

Tani presim certifikimin nga KQZ të listës së kompletuar të kandidatëve për asamble dhe kandidatit për Kryetar dhe menjeherë do fillojë puna me qytetarët për diskutimin dhe prezentimin e alternativës më të mirë qeverisëse për Prizrenin 2017-2021.

Urime Prizren, e na priftë e mbara.

Shkëmbim Cikaqi

Zëdhënës LDK, Prizren.”, është njoftimi i LDK-së në Prizren. /GazetaExpress/