Rajon & Botë

Ky është shteti që do të eksportojë 1.1 miliard dollarë drogë

Parlamenti i Izraelit ka miratuar në parim Projektligjin që lejon eksportimin e kanabisit mjekësor, ndërsa brenda vitit të ardhshëm pritet të plotësohen dhe aktet nënligjore.

Kjo do të thotë se shteti në Lindjen e Mesme do të hyjë së shpejti në tregun botëror të shitjes së kanabisit, ku aktualisht ndodhen lojtarë të mëdhenj si Kanadaja dhe Holanda. Në të ardhmen e afërt pritet që edhe Uruguai e Kolumbia, të cilat kanë miratuar kornizën ligjore të nevojshme, të nisin shitjen e bimës.

Një përllogaritje e ekipit ndërministror tregoi se shitjet jashtë vendit vetëm për shtetet që kanë shfaqur tashmë interes arrijnë deri në 1.1 miliardë dollarë në vit. Ky do të ishte një kontribut i jashtëzakonshëm për ekonominë 320 miliardë dollarëshe.

Për të dalluar nga konkurrentët, qeveria izraelite kërkon që të flasë vetë produkti, i cili prodhohet me të njëjtën teknologji bujqësore si ajo që bëri shkretëtirën të lulëzojë. Infrastrukturën e avancuar të Izraelit e konfirmojnë edhe analistët pranë firmave amerikane të dedikuara për industrinë e kanabisit.

Ekipi shtetëror që rekomandon eksportin thotë se kompanitë izraelite duhet të mbajnë standarde të larta në nivel mjekësor dhe se do të jenë subjekti i mbikëqyrjes së rreptë, ndërsa shitjet do të lejohen vetëm tek vendet që specifikisht e aprovojnë mallin e Izraelit.

the authorE B