Aktuale

Ky ishte propozimi i Pacollit dhënë Daçiqit për Mitrovicën veriore

Ministri i Punëve të jashtme i Kosovës Begjet Pacolli sot në Ëashington ka folur në konferencën e Këshillit të Atlantikut me temën “Po vjen stuhia? Formësimi i të ardhmes së Ballkanit në epokën e pasigurisë”.

Ai, siç njofton Zëri i Amerikës në gjuhën serbe, ka vlerësuar se është e domosdoshme të zvogëlohet burokracia, të forcohet ndërmarrësi private dhe të sillen lojtarët globalë në rajon.

Pacolli ka thënë se është e nevojshme të thyhen monopolet, duke theksuar se Serbia ka monopol në komunikacionin ajror, bujqësi dhe në sfera të tjera.

Pacolli ka deklaruar se është e nevojshme prania më e madhe e kompanive amerikane në rajon.

“Kosova është shtet i ri, jemi të hapur për partneritet privat si dhe për zona të tregtisë lirë. Daçiq, eja ta shpallim Mitrovicën veriore zonë të lirë tregtare. Sepse vetëm me krijim të punëve mund ta zvogëlojmë ndikimin e politikës”, ka thënë ndër të tjera Pacolli.