Aktuale

Ky polic u bë heroi i ditës sot në Prishtinë (Foto)

Sot rreth orës 13:10 minuta, në afërsi të ndërtesës së Radio Kosovës, gazetari Sabit Ballabani tregon se ishte dëshmitar i një tragjedie të cilën e parandaloi ky zyrtar policor.

Polici i trafikut, Ferid Berisha ishte në mes të korsive të rrugës duke drejtuar trafikun, pasi një numër i madh i nxënësve po kalonin rrugën. Në atë vendkalim, një vajzë 10 vjeçare tentoi të dalë në rrugë, pasi zbriti nga makina ku ishte me prindërit e saj. Në po atë vend një makinë tjetër po i afrohej vajzës, e cila më pas u shpëtua nga Ferid Berisha, shkruan Gazeta Express.

E gjithë kjo ndodhi para syve të Berishës, i cili më pastaj bëri një gjest heroik. Ai u hodh mbi vajzën 10 vjeçare, e kapi dhe e largoi nga rreziku që e priste, derisa makina e kishte të drejtën e lëvizjes në anën tjetër të rrugës.

Gazetari shkruan se prindi i vajzës u tregua i pakujdesshëm që e lejoi atë të dalë nga makina dhe të kalojë rrugën, derisa nuk kishte të drejtë kalimi dhe dhjetëra kalimtarë të tjerë po prisnin në vend.

Ai gjithashtu tregon se dëshmitarët e rastit u tmerruan nga kjo pamje, por njëkohësisht iu falënderuan policit i cili i shpëtoi jetën kësaj vajze.