Aktuale

Lajm i keq, së shpejti rriten çmimet për sigurim të veturave

Qytetarët e Kosovës më gjasë shumë shpejt do të detyrohen të paguajnë kosto shtesë për sigurimin e veturave të tyre.

Çmimet për ta siguruar veturën do të ngritën brenda një kohë të shkurtër.

Fakte Plus ka mësuar nga burimet e veta se deri në muajin e ardhshëm çmimet për sigurim te veturave do të ndryshohën. Sipas këtyre burimeve rritja e tyre do të shkojë deri në 30 për qind.

“Nga fillimi i këtij muaji kanë nisur disa ndryshime në sistemin e sigurimit të veturave. Na është thënë se BQK është duke punuar në ndryshimin e çmimeve për policat e sigurimeve”, ka thënë një burim.

Ky burim ka treguar po ashtu se aktualisht edhe sistemi për lëshim të policave të sigurimit është duke u kontrolluar nga Banka Qendrore e Kosovës.

“Tash kompanitë nuk mund të lëshojnë polica sa të duan. BQK po e ndalë sistemin dhe po kërkon që secila kompani të lëshoj polica në mënyrë të barabartë”.

FaktePlus ka kërkuar nga BQK sqarime rreth ndryshimeve në çmime që po pritet të ndodhin.

Në këtë institucion nuk e kanë mohuar faktin se çmimet mund të rriten, vetëm kanë thënë se për çdo ndryshim do të ketë njoftim zyrtar.

“Më lejoni të ju njoftoj se aktualisht nuk ka rritje të çmimeve të sigurimit të automjeteve. Ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën, për çdo vendim të ri Banka Qendrore e Republikës së Kosovës do ta njoftoj publikun”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Në tregun e sigurimeve, aktualisht të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës janë 12 kompani të sigurimeve, nga të cilat 10 merren me veprimtarinë e sigurimeve jo-jetë dhe dy kompani me sigurimet e jetës. Numri i të punësuarve varion ndër vite, mirëpo nga të dhënat statistikore të fundit, të angazhuar në industrinë e sigurimeve janë mbi 2 mijë të punësuar.

Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë qarkullojnë mbi 315 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet./FaktePlus/.

the authorBurbuqe Metolli