Sport

Latifi transferohet te skuadra nga Liga e Kampionëve

Liridon Latifi është afër transferimit te skuadra nga Superliga e Rusisë, FK Rostov

Liridon Latifi, mesfushori i cili shkëlqeu në dy vitet e fundit me Skënderbeun, është më pranë se kurrë transferimit në kampionatin rus. Dy klube kërkojnë shërbimet e kosovarit, teksa së fundmi në skenë ka dalë FK Rostov, që e mbylli në vendin e dytë kampionatin e kaluar.

Nënkampionët në fuqi të Rusisë mësohet se kanë bërë një ofertë zyrtare. “Panorama Sport” zbulon se shuma që ofron për kartonin klubi rus është 800 mijë euro.

Në të njëjtën kohë, edhe Terek Grozni kërkon me ngulm shërbimet e kosovarit, por duket se Rostov po bind më shumë presidentin Ardjan Takaj.

Një gjë është e sigurt tashmë: destinacioni i Latifit do të jetë me 100% Rusia, atje ku do të bashkohet me Bernard Berishën, i cili luan për Anzhin, si dhe Odise Roshi e Bekim Balajn, të cilët janë pjesë e Terekut.

Transferimi te rusët e Rostov do të shënonte një hap të madh në karrierën e kosovarit, në një kohë që klubi rus është edhe pjesë e fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve. Madje, FK Rostov është në një grup me skuadrat gjigante si Bayern Munich, Atletico Madrid dhe PSV Einthoven.

Prej kohësh, Latifi ka qenë nën vëzhgimin e klubeve jashtë Shqipërisë, veçanërisht atyre belge dhe turke. Një vit më parë, mesfushori ka qenë pranë transferimit te Club Brugge, por negociatat nuk u mbyllën me sukses.

Kohët e fundit për mesfushorin e Skënderbeut ishte e hapur edhe pista që e çonte në Serinë A italiane, por duket se më tepër para në arkën e klubit korçar janë të gatshëm të derdhin klubet ruse.