Aktuale

LDK: Ne kemi program konkret për arsim, shëndetësi dhe ekonomi

Koalicioni LDK-AKR-Alternativa të enjten pasdite hapi fushatën zgjedhore në Prishtinë për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit. Kandidati për kryeministër nga radhët e këtij koalicioni, Avdullah Hoti, tha se zgjedhjet e 11 qershorit do të jenë një referendum për vendin dhe koalicioni i qendrës së djathtë do ta çojë Kosovën përpara, me njerëz me duar të pastra.

Ai u shpreh i nderuar që i prin kësaj liste me njerëz të shkolluar. Sipas Hotit ky është ekip i vlerave dhe traditave shqiptare, derisa për koalicionin kundërshtar tha se kanë njerëz në listë në bazë të interesave, ndërsa koalicioni LDK-AKR-Alternativa kanë në listë ekspertë të dalluar.

Ai po ashtu shtoi se programi i tyre është i qartë për zhvillim ekonomik, punësim dhe të ardhura. Hoti premtoi se nga janari 2018 do të trefishojnë subvencionet për bujqit. Ai tha se në programin e tyre janë përfshirë edhe lehonat që do të paguhen një vit me pagesë.

Po ashtu përmendi sigurime shëndetësore, shëndetësinë primare, investime në Kosovën e Re, Trepçë dhe Brezovicë. Hoti tha se në program kanë përfshirë edhe rendin dhe ligjet, ku sipas tij, do të nxjerrin ligje për konfiskimin e pasurisë që është fituar pa ligjshëm.

Po ashtu Hoti tha se kanë në program edhe integrimin e Kosovës në BE. Gjithashtu ai përmendi se do ta bëjnë Kosovën të sigurt, dhe do të gjejnë zgjidhje për demarkacionin me Malin e Zi dhe se asnjë pëllëmbë tokë nuk do të humbet.

Para simpatizantëve Hoti tha se ky koalicion do ta themelojë ushtrinë së bashku me aleatet, NATO-n dhe SHBA-të. Sipas Hotit qeveria nëse udhëhiqet nga ai do të kontribuojë për paqe dhe siguri në rajon.

“Ne kemi një plan konkret për bujqit gjithë andaj nëpër Kosovë. Nga janari i vitit 2018 ne trefishojmë subvencionet për bujqësi. Ne do të trefishojmë tokat nën ujitje, këto na garantojnë përgjysmim të importit të produkteve bujqësore dhe që sofrat tona të mbushen me produkte që ne vet i prodhojmë. Ne kemi plan konkret për arsim dhe shëndetësi, për përmirësimin e cilësisë së arsimit, për funksionalizim të sigurimeve shëndetësore, barna bazike për të gjithë, kujdes shtëpiak për të gjithë ata që kanë nevojë. Shëndetësi primare gjithëpërfshirëse për gjithë qytetarët e vendit. Ne kemi një plan konkret për investime në ekonomi përmes ligjit për investime strategjike”, tha Hoti.

Ndërsa presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli tha se ky koalicion do ta qeverisë Kosovën në mënyrë të drejtë dhe do ta ndërtojë një shtet të fortë ekonomikisht. Ai po ashtu deklaroi se do të ndodhë një rritje ekonomike mbi 8 për qind që krijon mbi 70 mijë vende të punës.

Pacolli tha se do t’i përgjysmojnë importet nga Serbia dhe në vitin e parë do të rikthehet shpresa për të rinjtë.

Ai tha se Qeveria e tyre do të mbështet të rinjtë për krijimin e bizneseve dhe do të ketë investitorë të huaj për të investuar në Kosovë.

“Të ndërtojmë një shtet të fortë ekonomikisht, të ngritim standardin jetësor të njerëzve bashkë me vetëbesimin e tyre. Të ndërtojmë një shtet ku askush nuk do të ndihet i kërcënuar, i rrezikuar apo i shantazhuar nga shteti, apo individët e shtetit. Po e kuptoni mirë çka po dua me thënë këtu, nënvizojeni këtë. Të ndërtojmë një shtet të barabartë për qytetarët pa diferencime, të ndërtojmë një shtet ku të gjithë kanë të drejta të njëjta në gjyqësi, në shëndetësi, ekonomi, arsim e kulturë”, tha Pacolli.

Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, tha se ky është tubim i besatimit për Republikën e Kosovës, dhe u shpreh se ata që u munduan t’i thyejnë e thyen veten.

Ai tha se do të ndjekin rrugën e Rugovizmit për t’i fituar zgjedhjet së bashku me koalicionin parazgjedhor dhe PDK është e vetmja mënyrë që të shkon në opozitë për të marrë frymë Kosova. Ai duke treguar për qeverisjen e tij, tha se PDK e ka kapur shtetin. Por, sipas Mustafës LDK është koalicion i shpresës.

Mustafa duke treguar për arritjet në qeverisjen e udhëhequr nga ai, tha se kanë arritur ta shtojnë buxhetin 400 milionë euro dhe kanë zgjidhur çështjen për lëshimin e pagave për veteranët. Po ashtu ai tha se në Qeverisjen e tij ka pasur rritje të pagave dhe pensioneve, si dhe u krijuan 40 mijë vende të reja të punës.

Sipas tij lufta kundër krimit dhe korrupsionit do të vazhdojë të ndiqet nga kandidati për kryeministër Avdullah Hoti.

“Në këtë bashkim po shkojmë drejt fitores të sigurt si asnjë herë më parë. Koalicioni ynë e ka programin qeverisës të harmonizuar. Andaj, ky program ka ekspertizën e vet dhe është garanci e një qeverisje të mirë e një qeverisje të pa korruptuar, e një qeverisje të përgjegjshme dhe një qeverisje shërbyese për qytetarët e Kosovës. lista e deputetët ëve të këtyre që janë këtu para jush po ofron njerëzit më të aftë dhe më të përgjegjshëm për parlamentin e Kosovës. ne gjithë këtu kemi kandidatin më të përgatitur për kryeministër”, tha Mustafa.

Kandidati nga Alternativa Ilir Deda tha se pas 11 qershorit nuk do të ketë koalicion me PDK-në, ndërsa tha se kryeministër i tij është Avdullah Hoti.

Kandidatja tjetër e kësaj partie Mimoza Kusari-Lila bëri thirrje që më 11 qershor të mos votojnë për ata që kthyen regresin për Kosovën. Sipas saj, ‘Fillimi i ri’ do të jetë për të shkuar në opozitë.

Ndërsa Joseph Daul nga Partia Popullore Evropiane tha se zhvillimi i Prishtinës është meritë e Isa Mustafës. Ai kërkoi nga qytetarët e Kosovës që të votojnë për vazhdimin reformave qeverisëse nga LDK për të cilën Kosova ka nevojë shumë.

Po ashtu, gjatë hapjes së fushatës në kryeqytet, koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, u prezantuan 110 kandidatët për deputetë. /kp