Aktuale

LDK do ta thërrasë kryeministrin në dy interpelanca, kërkon shkarkimin e Rikalos

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha sot se kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli kanë shkelur rregulloret, Kushtetutën dhe praktikat demokratike, duke përmendur kështu mbylljen e seancës e thirrur nga opozita dhe votimin e Qeverisë pa debat parlamentar.

Hoti nuk la pa përmendur edhe akuzat për ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo, që sipas banorëve të lagjes “Dardania” në Prishtinë, gjatë luftës në Kosovë ka kryer krime ndaj civilëve.

Ai tha se ministri Rikalo duhet të shkarkohet në të kundërtën kryeministri Haradinaj do të përballet me veprimet demokratike, ndërsa shtoi se e kanë pranuar me shqetësim se nuk ka informacione për Rikalon lidhur me veprimet e tij gjatë luftës.

Hoti theksoi se GP i LDK me forma demokratike, e jo me dhunë do të punojë për respektimin e Kushtetutës, ku pritet të thërrasë në interpelancë kryeministrin Haradinaj për rastin Rikalo.

“Ne do të kujdesimi që të mbrojmë lirinë qytetare, për të drejtat dhe Kushtetutën e Kosovës. Grupi Parlamentar i LDK-së do të përdorë të gjitha format demokratike, por jo format e dhunës që i ka përdorë partia e kryeministrit aktual dhe një pjesë e opozitës. Mirëpo, do të ketë forma demokratike për të siguruar ligjshmërinë dhe Kushtetutën në këtë vend. E para është se ne do të thërrasim në interpelancë kryeministrin për akuzat e shfaqura ndaj ministrit të Bujqësisë dhe ne do të thërrasim prapë kryeministrin në interpelancë për të sqaruar para deputetëve dhe para qytetarëve të vendit, se çfarë do të punojë Ministria e Zhvillimit Rajonal, çfarë do të bëjë ministri i Diasporës dhe i Investimeve Strategjike, ministri i Inovacionit dhe i Ndërmarrësisë”, tha shefi i GP të LDK-së.

Hoti tha se kryeministri duhet të japë përgjigje për akuzat ndaj ministrit Rikallo. Sipas tij, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e akuzave, ky ministër duhet të shkarkohet menjëherë, në të kundërtën kryeministri Haradinaj do të përballet me të gjitha format demokratike të kundërshtimit.

“Ajo që është më skandaloze, është akuza që tash është ngritur për njërin nga anëtarët e qeverisë Haradinaj për ministrin e Bujqësisë Nenad Rikallo. Duke pasur ndjeshmërinë e këtyre akuzave ky ministër duhet të shkarkohet menjëherë dhe i bëjmë kërkesë që të shkarkohet menjëherë. Në të kundërtën Haradinaj do të përballet me të gjitha format demokratike të kundërshtimit. E them me keq ardhje të thellë për qeverinë vendit tim se është bërë zgjatim i Qeverisë së Beogradit në Kosovë. Është krijuar me pazare të ulëta politike duke iu dhënë pushtet personave që personalisht pretendohet se janë përgjegjës për dhunën dhe vrasjet ndaj popullit të Kosovës”, tha Hoti.

Ai tha se Grupi Parlamentar i LDK-së do të ndërmarrë veprimet e nevojshme brenda Kuvendit të Kosovës për të ndaluar shkeljet që Veseli po i bën rregullores të punës të Kuvendit.

Hoti theksoi se Veseli në seancën e parë e ka shkelur Rregulloren e Punës të Kuvendit, nenin 50.5, ku theksohet, se “mocioni për ta mbyllur debatin shqyrtohet vetëm nga kryetarët e grupeve parlamentare dhe votohet menjëherë”.

Sipas tij, kreu i Kuvendit e ka shkelur këtë nen duke mos e nxjerr menjëherë në votim mocionin e opozitës. Hoti tha se është një precedent i rrezikshëm për demokracinë kur vetë shumica parlamentare kërkon të mos debatohet me rastin e votimit të Qeverisë. /kp