Aktuale

LDK thotë se i ka gati votat për rrëzimin e Qeverisë

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa ka thënë të premten se Qeveria e koalicionit PAN, e cila drejtohet nga Ramush Haradinaj ka dështuar t’i sjellë zhvillim ekonomik vendit.

Ai bëri këto deklarata gjatë një konference për media, me ç’rast pohoi se për rrëzimin e qeverisjes aktuale Lidhje Demokratike e Kosovës ka kohë që i ka gati votat.

Duke numëruar dështimet Qeverisë në sferën ekonomike ai tha se është e papranueshme që viti 2019 te quhet vit i ekonomisë nga Qeveria.

“Sivjet në vend që t’i kërkojë falje qytetarëve të Kosovës Qeveria ka vendosur edhe njëherë t’i mbulojë dështimet e saj duke e shpallur vitin 2019 vit të ekonomisë. Kurse Telekomi i Kosovës është ne kolaps total, përveç humbjeve vjetore dhe rritjes enorme të punësimit të militanteve të PAN-it në të, tani do t’i paguaj dëmshpërblim 30 milionë euro Z-mobile-it”, ka thënë Mustafa.

Ai mes tjerash tha se në mungesë të liberalizimit të vizave për shkak të partnerëve të këtij koalicionit qytetarët e Kosovës janë më të izoluarit në Evropë.