Aktuale

Lekaj: Sondazhi i VV-së i papranueshëm, AAK-ja është më e fortë

Për Aleancën e Ardhmërisë së Kosovës (AAK), nuk është aspak i pranueshëm rezultati i sondazhit të publikuar dje nga Lëvizja Vetëvendosje. Deri sa, kjo e fundit e vendosi veten si partia e parë në vend, AAK-ja sipas tyre ka vetëm 14 për qind.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka thënë për “Indeksonline” se AAK është vazhdimisht në terren dhe se rezultatet nuk përputhen fare me ato që i ka publikuar Vetëvendosje. Ai ka shtuar se AAK bën sondazhe, por gjetjet e tyre mbesin brenda partisë.

Sipas tij, partitë politike kanë filluar të lëvizin në kohën kur po flitet për zgjedhje, e sidomos ato si Vetëvendosje që janë skeptikë për përkrahjen e qytetarëve.

“Kur vendi po do të shkojë në zgjedhje vetëm kanë filluar të lëvizin subjektet që mendojnë, apo kanë frikë nga mbështetja e qytetarëve. Edhe Vetëvendosja e ka krijuar një sondazh që ma merr mendja, sepse ne për çdo ditë jemi në terren si Aleancë dhe dihet çfarë përkrahje ka Aleanca, e të jetë një rezultat i tillë për 14 për qind është e papranueshme. Ne e dimë se në terren jemi shumë më të fortë. Ne bëjmë sondazhe, mirëpo i bëjmë për gjetje të brendshme të Aleancës dhe i dimë ku janë përparësitë dhe dobësitë e këto mbesin brenda partisë. Jemi të bindur se nuk është realiteti askund me atë që e ka publikuar Vetëvendosje”, është shprehur ai.
Tutje, Lekaj ka thënë se këto sondazhe krijojnë konfuzion tek qytetarët, deri sa ka shtuar se partitë politike i zgjedhin kompanitë që e dinë se janë më të fuqishëm, për të kryer sondazhin.

“Me siguri që partitë politike janë të interesuara që të krijojnë huti edhe në opinion dhe të krijojnë avantazhe me sondazhe të veta, që krijojnë një ambient ku i krijojnë asi soj pyetjet dhe i orientojnë kompanitë aty ku e dinë që janë ma të fuqishëm. Prandaj këto nuk janë fortë të besueshme”, ka thënë ai.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje dje ka publikuar sondazhin ku kjo parti del e para me 26 për qind, PDK me 23 për qind, LDK me 20 për qind, AAK me 14 për qind, AKR me 5 për qind, Nisma me 3 për qind dhe Alternativa me 2.9 për qind./Indeksonline/