Rajon & Botë

Letra “e paprecedentë” dërguar qeverive perëndimore: Çfarë shkruante në të dhe pse e bëri këtë Kim Jong-un?

Koreja e Veriut ua dërgoi një letër të hapur disa qeverive në Perëndim duke u bërë thirrje për kujdes të madh kur bëhet fjalë për administratën “e neveritshme” të Donald Trump.

Në letrën, e cila siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, është e pashembullt në marrëdhëniet e mëparshme midis Koresë së Veriut dhe Perëndimit, gjithashtu theksohet se Koreja e Veriut tani është ‘një fuqi e plotë bërthamore’.

Besohet se letra të cilën mediat e quajnë “rast të paprecedentë” erdhi nga Komiteti i Punëve të Jashtme të Koresë së Veriut dhe u dërgua fshehurazi në adresat e qeverive të disa vendeve perëndimore.

Por në publik doli vetëm në sajë të Ministres së Punëve të Jashtme të Australisë, Julie Bishop, të cilës thuhet se letra i erdhi nga ambasada Australiane në Indonezi, ku ajo erdhi nga konsullata e Koresë së Veriut në Xhakarta.

E ekspertët, siç transmeton net.hr, e quajnë këtë letër një “mesazh të pashembullt”, sepse regjimi i Kim Jong-un me Perëndimin komunikon nëpërmjet medias së regjimit të KCNA dhe jo letrave, posaçërisht letrave të hapura.

Siç thuhet më tej, përmbajtja e letrës dënon retorikën e Trump në OKB, në të cilën ai u betua për shkatërrimin total të Koresë së Veriut.

“Nëse Trump mendon se me kërcënime mund të gjunjëzohet një forcë si Koreja e Veriut, i ka bërë llogaritjet gabim dhe ka treguar një injorancë të madhe”, citohet letra.

Përmes kësaj letre Koreja e Veriut ka konfirmuar edhe një herë se ata kanë një arsenal bërthamor të zhvilluar nga vetë ata, por theksojnë një gjë interesante.

“Armiku i vërtetë i energjisë bërthamore është vetë një luftë bërthamore”, thotë letra.
Koreja e Veriut, për këtë arsye, i bën thirrje Perëndimit të jetë i kujdesshëm për Donald Trump, i cili po përpiqet ta tërheqë botën në një katastrofë bërthamore.

Dhe ministri australian beson se kjo mënyrë e re e komunikimit dëshmon se sanksionet aleate kundër Koresë së Veriut po tregojnë rezultate.

the authorE B